E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pijet e ndaluara serbe, rikthehen në treg

Derisa zyrtarë të Inspektoratit Sanitar të Kosovës kanë thënë për Kosovapress se i kanë urdhëruar marketet që të largojnë nga tregu prodhimet serbe të lëngjeve “Takovo”, “Nectar” dhe “Verde”, për shkak se janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve, një pjesë e marketeve kanë rikthyer serish në treg një pjesë të këtyre prodhimeve.

Në fund të vitit që lamë pas, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pas kërkesës nga Inspektorati Sanitar i Kosovës, që të bëhen analizat e lëngjeve të prodhuara në Serbi “Takovo”, “Nectar”, dhe “Verde”, pasi që dyshohej që ishin të dëmshme për shëndetin e qytetarëve, Laboratori i IKSHP, kishte analizuar 51 mostrat e këtyre prodhuesve nga Serbia, ku sipas rezultateve të mostrave të analizuara, 12 nga 51 mostrat e analizuara, nuk i përgjigjen deklaracionit në përbërje frutore.

Prej tyre 11 mostra janë të prodhuesit “Verde” prej të cilave 4 mostra nuk i përgjigjen deklaracionit nga prodhuesi “Nektar” janë analizuar 25 mostra nga të cilat 4 nuk i përgjigjen deklaracionit, derisa 15 mostra janë të prodhuesit “Takovo” prej të cilave 4 mostra nuk i përgjigjen deklaracionit.

Pas publikimit të rezultateve të mostrave të analizave, të gjitha shitoret ishin të detyruar që të largojnë nga shitja këto lëngje, mirëpo një pjesë e marketeve serish ka kthyer në shitje lëngjet “Takovo”, dhe “Nectar”.

Sipas punëtorëve të këtyre marketeve, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen publikisht, një gjë e tillë ka ndodhur pas një udhëzimi të lëshuar nga kompania “Prizren Komerce”, e cila është distributor i “Nectar”.
Punëtorët kanë thënë se sipas tyre në këtë udhëzim thuhet që këto prodhime nuk janë të dëmshme dhe për këtë janë rikthyer në raftet e shitjes.

Zëvendës kryeinspektori i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, Ibrahim Tershnjaku, përmes telefonit tha për Kosovapress, se të gjitha kompanitë janë të detyruar që këto produkte t’i largojnë nga shitja, dhe se në ditët në vijim do të inspektojë marketet për të konfirmuar nëse ato janë duke e zbatuar vendimin.

Ndërkaq, Visar Ymeri, aktivist i Lëvizjes ”Vetëvendosje”, tha për Kosovapress se “Vetëvendosja” qysh para katër vjetësh ka filluar me fushatën për bojkotimin e produkteve të Serbisë, pasi sipas tij, të gjitha produktet e prodhuara në Serbi duhet të bojkotohen në Kosovë për arsye se këto prodhime janë duke e dëmtuar prodhimin vendor dhe ngjarja e fundit me këto lëngje është edhe një mësim më i mirë pse duhet bojkotuar këto produkte.

“Është mirë që është duke u ndërmarr diçka kohëve të fundit për t’u tërhequr këto lëngje nga tregu i Kosovës, mirëpo mua më brengos fakti se si deri tash këto lëngje kanë lejuar të hynë në Kosovë dhe koha kur këto kontrollohen është pikërisht kur edhe Serbia vetë po i tërheq nga tregu lëngjet e këtyre prodhuesve të caktuar dhe në këtë mënyrë po tregohet faktikisht që institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmerrte asgjë kundër këtyre lëngjeve po që se nuk do të ndodhte një gjë e tillë në Serbi”, tha Ymeri.

Për më tepër, Ymeri tha se të gjitha prodhimet e Serbisë të pranishme në tregun kosovar, e dëmtojnë ekonominë e Kosovës për shkak se prodhimet serbe hynë pa u doganuar fare, ndërkaq prodhuesit e vendit janë të detyruar të paguajnë edhe taksën doganore në lëndën e parë që ta importojnë dhe po ashtu makinerinë, të cilën ata e kanë importuar.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, tha për Kosovapress se Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike është dashur të reagojë më herët, mirëpo sipas tij, rezultatet e analizave të mostrave të bëra në Kosovë dhe ato në Serbi, janë të dyshimta, sepse sipas tij nuk është e mundur që gjashtë lëngje në Serbi të jenë jo standarde, ndërkaq në Kosovë vetëm tri.

“Nëse në Serbi kanë dalë dy, katër, gjashtë produkte jo standarde dhe nëse në Serbi ka dalë një e treta e lëngjeve jashtë standardeve, nuk më duket e arsyeshme që këtu vetëm tre kanë dal “out” dhe unë do të kërkoja këtu, dhe e shfrytëzoj agjencionin tuaj të nderuar që t’i bëjë apel Institutit t’i rishikojë analizat, nuk është ë mundur që nga e gjithë kjo bujë të dalë vetëm tri lëngje nëse ne kemi fakte që janë më shumë lëngje që nuk e meritojnë hyrjen në tregun e Kosovës”, tha Kaçaniku.

Sipas tij, shkaktar i krijimit të gjithë kësaj janë vetë bizneset kosovare, sepse po u imponojnë konsumatorëve një gamë të gjerë prodhimesh.

“Fajtori kryesor është tregu, ata që e luajnë vallen kryesore, që e hedhin vallen në treg, biznesmenët, ata mendojnë, ua merr mendja pandehin se ia qëllojnë shijes sonë dhe nevojave tona, faktikisht ata neve na imponojnë një gamë prodhimesh”, tha ai.

Edhe aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, fajin për këtë e ka hedhur drejt bizneseve kosovare, si dhe Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij e ka për detyrë që ta mbrojë dhe ta zhvillojë ekonominë e Kosovës.

“Mendoj që importuesit e mallrave serbe nuk do të mbushen mend kurrë, për shkak se ata kanë leverdi nga importimi i mallrave serbe, këtu ish dashtë të ndërhyjë Qeveria e Kosovës dhe ajo është detyrë e saj që ta mbrojë dhe ta zhvillojë ekonominë e Kosovës, importuesit e Kosovës unë mendoj që ata nuk ishte dashur të importojnë mallra prej Serbisë, mirëpo e di që logjika e biznesit i shtyn ata i shtyhen të importojnë mallra prej Serbisë për shkak që kanë leverdi të madhe, do të thotë kemi këtu persona në Kosovë që janë bërë milioner duke importuar mallra nga Serbia”, tha Ymeri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›