E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet e reduktimeve të KEK-ut

Nga Express më 05 shtator 2011 në ora 10:41

Paaftësia e menaxhmentit të KEK-ut për të evituar me kohë problemet e paraqitura kanë sjellë edhe reduktime të gjata me energji elektrike, të cilat po u sjellin probleme të shumta bizneseve dhe qytetarëve. Reduktimet e ashpra kanë shtyrë kompanitë të cilat janë kyçur në kategorinë A+, që të kërkojnë një takim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe drejtuesit e KEK-ut.

Për shkak të prishjeve, të cilat Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sikurse gjithmonë nuk mund t’i rregulloj me kohë, kohën e fundit kryeqyteti ka mbetur me orë të tëra pa energji elektrike, kurse në qendrat tjera të Kosovës, KEK i ka vazhduar reduktimet pa orar.

Situata e krijuar ka nxitur edhe reagimin e përfaqësuesve të bizneseve të shumta, të cilët ankohen se reduktimet me energji elektrike po dëmtojnë në masë të madhe prodhimtarinë dhe profitin e kompanive.

Pikërisht për këtë çështje sot me iniciativën e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) mbahet një takim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe drejtuesit e KEK-ut, kushtuar problemeve të furnizimit me energji elektrike të kompanive të cilat janë kyçur në kategorinë A+.

Duhet përmendur se KEK-u, përveç që nuk i furnizon qytetarët e Kosovës rregullisht me energji elektrike, ai zbaton edhe më tutje masën e shkyçjeve kolektive, gjë e cila paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

Po ashtu, ndotja e ambientit që shkaktojnë termocentralet e kësaj Korporate si rezultat i filtrave që janë vendosur para 60 vjetësh, ka shtyrë shumë herë banorët e komunës së Obiliqit që të protestojnë dhe madje edhe të bllokojnë hyrjen për në termocentrale.

Ndryshe, KEK-u sipas anketës së fundit të UNDP-së me qytetarë, është shpallur serish “kampion” për korrupsion në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›