Tadiç: Duhet të bisedojmë me shqiptarët

Presidenti serb, Boris Tadiq ka deklaruar se vendimi i Këshillit të Sigurimit për ta miratuar planin gjashtëpikësh për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë, paraqet sukses të madh politik për Serbinë. Ai po ashtu ka vlerësuar se, herët apo vonë, Beogradi duhet të bisedojë me përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Kosovës. "Politika të cilën e ndjekim na forcon në rrugën drejt integrimeve evropiane, por njëkohësisht duke mos hequr dorë nga mbrojtja e integritetit të shtetit në asnjë forum ndërkombëtar, që nga BE e deri në OKB", ka deklaruar Tadiç për mediat serbe. Tadiç ka vlerësuar se vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së shton shanset që - pas deklarimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes se pavarësisë së Kosovës - Beogradi dhe Prishtina të kthehen sërish në tavolinën e bisedimeve dhe të ridefinojnë çështjen e statusit të Kosovës. "Mendoj se herët apo vonë, do të jemi të detyruar të ulemi dhe të bisedojmë me përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Kosovës. Ne dëshirojmë të gjejmë zgjidhje bashkë me shqiptarët, sepse nuk kemi më kënd tjetër të gjejmë zgjidhje", ka thënë Tadiç. Tadiç po ashtu ka thënë se - faktorët ndërkombëtar që pareshtur përsërisin se pavarësia e Kosovës është punë e kryer - në fakt, "shumë mirë e dinë se shqiptarët herë do kur duhet të ulen me ne dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme kompromisi për Kosovën". Presidenti serb ka shtuar se, ndarja e Kosovës nuk është në rend të ditës, edhe pse vendimi i Këshillit të Sigurimit, sipas tij. parasheh që në Kosovë të ekzistojnë dy regjime pushtetesh - një në zonat e banuara me serbë dhe një tjetër në ato me shumicë shqiptare.