E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fried: EULEX forcon pavarësinë

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried ka deklaruar se vendosja e EULEX-it në Kosovë i shërben forcimit të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë në vend. “Misioni EULEX do ta forcojë pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj, sepse EULEX-i do të dislokohet në të gjithë vendin, në një vend të pandarë”, ka thënë Fried në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Pa praninë e EULEX-it, sipas Friedit, Kosova do të kishte probleme, prandaj – tha ai – “dhe ne po vendosim një mision të tillë në vend për të forcuar pavarësinë e sovranitetin e këtij shteti të ri”. Kosova, sipas tij, shënoi një fitore të madhe, duke kundërshtuar planin 6 pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, dhe Kombet e Bashkuara, Evropa, dhe Shtetet e Bashkuara e pranuan dhe e respektuan këtë qëndrim të saj. Në fakt, ka shtuar Fried “asgjë nuk do t’i detyrohet Kosovës, as plani gjashtë pikësh dhe as ndonjë gjë tjetër”. Për sa i përket veriut të Kosovës, pjesës veriore të Mitrovicës, Fried ka thënë se EULEX-i do të vendoset në të gjithë vendin, në veri të Mitrovicës gjithashtu, në të gjithë zonën në veri të Lumit Ibër.
“Ky është një vend i pandarë, nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj ndarjeje, as ‘të fortë’ dhe as ‘të butë’, dhe me as ndonjë lloj tjetër ndarjeje. Në qoftë se ne do të kishim pranuar shkëputjen e veriut, do ta kishim bërë këtë pa kaluar në gjithë këto negociata”, është shprehur Fried. “Ne kemi negociuar dhe vazhdojmë të negociojmë sepse EULEX-i duhet të dislokohet dhe do të dislokohet në të gjithë vendin”, ka thënë Fried, duke shtuar se Kosova nuk ka arsye të trembet sa i përket çështjes nëse administrata e re amerikane do t’i përmbahet të njëjtit kurs politik ndaj saj. RTK-START

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›