E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç:Koha për kapitull të ri me SHBA-në

Presidenti serb Boris Tadiç kërkon të kthejë faqen e historisë me SHBA-në pas mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, duke filluar nga pavarësia e Kosovës. Tadiç është shprehur i sigurt se do të takohet së shpejti me Presidentin amerikan Barak Obama. "Jam i sigurt se do të takohem me presidentin Obama për të folur jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por gjithashtu për perspektivat rajonale", deklaroi Tadiç nga Spanja. "Ne duhet të hapim një kapitull të ri me SHBA-në. Ne kemi nevojë për marrëdhënien më të mirë të mundshme me SHBA-në. Pa këtë ne nuk mund të vendosim paqen dhe demokracinë në Ballkan", tha nga Madridi presidenti serb. Pavarësia e Kosovës është pengesa kryesore në marrëdhëniet mes Beogradit, që mendon ta luftojë me të gjitha mjetet diplomatike dhe ligjore dhe Uashingtonit që ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur. Ardhja në pushtet e Barak Obamës nuk e vuri në dyshim qendrimin amerikan, pasi presidenti i ri premtoi në shkurt mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë multietnike, të pavarur dhe demokratike. Ndërsa Spanja, që përballet vetë me separatizmin bask dhe katalanas, është një nga vendet e rralla të BE-së që nuk e ka njohur këtë pavarësi dhe presidenti serb e ka falenderuar edhe një herë qeverinë spanjolle për këtë. Tadiç ka theksuar gjithashtu edhe rëndësinë e hyrjes së vendit të tij në Bashkimin Europian për të siguruar stabilitetin në juglindje të Europës. Serbia mendon të depozitojë kandidaturën e pranimit në BE më 2009-ën, por disa vende anëtare si Holanda tregohen ngurruese dhe kërkojnë paraprakisht bashkëpunimin e plotë të Beogradit me Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›