Tadici ende ëndërron ndarjen e Kosovës

Serbia nuk ka plan për Kosovën dhe karta e fundit në të cilën Beogradi seriozisht ka luajtur ka qenë kërkesa drejtuar Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë që të deklarohet për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.
Siç zbulojnë kabllogramet e janarit të këtij viti të ambasadës amerikane në Beograd, të publikuara nga “WikiLeaks”, atëherë kur gjyqtarët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se shpallja e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, atëherë është rrënuar edhe koncepti politik i pushtetit serb.
“Boris Tadic është i gatshëm të dëgjojë këshillat e BE-së dhe qetë të pranojnë rrjedhën, në mënyrë që Serbia të përparojë drejtë BE-së, por nuk ka një plan si ta bëjë këtë”.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, i prirë nga interesi dhe promovimi personal, planifikon një ofensivë diplomatike për Kosovën.
“Meqë nuk ka alternativa nga ana e Tadicit, presim që të dominojë plani i konfliktit i Jeremicit”, citohet të ketë thënë një diplomat amerikan në Washington, transmeton “Vesti-Online”.
Sipas vlerësimeve të diplomatëve amerikanë, Serbia dëshpërueshëm ka dashur të provokojë biseda të reja për statusin, por është ballafaquar me shok, meqë nuk i ka shkuar mendja se Kombet e Bashkuara do të gjykojnë në dobi të shqiptarëve të Kosovës.
“Tadic nuk ka strategji të koordinuar të cilën do ta aplikonte. Këshilltari i tij për sigurinë nacionale, Miki Rakic, i ka thënë me 10 dhjetor Charge Brush se qeveria ende nuk ka plan se çka të bëjë pas gjykimit të GJND-së dhe se ka nisë të kërkojë alternativa. Në takimet e ndara më 28 dhe 29 nëntor, ministri i Mbrojtjes Sutanovac dhe këshilltari joformal i presidentit, Srdan Saper, ishin të habitur kur Brush i ka pyet për strategjinë serbe pas vendimit të GJND-së dhe asnjëri nga ta nuk ka dashur të pohoj se për çka mendon Tadic”, transmeton Telegrafi.com.
Sidoqoftë, atë që amerikanët nuk e kanë ditur direkt nga vendimmarrësit serbë, e kanë kuptuar nga partnerët evropianë kur Tadic dhe këshilltari për punë të Jashtme, Jovan Ratkocevic, i kanë thënë ndërmjetësit evropian për bisedime me Prishtinën, Robert Cooper, se po i analizojnë katër skenare, por se nuk ka përfundime të qarta.
Tadic ka përmendur skenaret “dy Gjermani” ose “Kina-Tajvani”, duke pas parasysh statusin special të Kosovës dhe faktin se Beogradi pas vendimit të GJND-së është më i gatshëm për bisedime me Prishtinë.
Përfundimi i diplomatit amerikan është: ata e kanë ende në kokë ndarjen e Kosovës.
Ndërsa, kur është fjala te integrimet evropiane të Serbisë, nga kabllogramet thuhet se presidentit Tadic dhe udhëheqësve serbë ambasadori i Kuintit u ka bërë me dije se nuk ka përparim në Evropë përderisa Serbia nuk bënë lëshime ndaj Kosovës. Nëse kjo nuk kuptohet, amerikanët thonë se në atë rast Tadicit do t’ia thotë këtë haptas ndonjë nga shefat e shteteve më të mëdha evropiane.
Dhe, këtë e ka bërë pikërisht Angela Merkel gjatë vizitës së saj në Serbi.