Taekuondoja, dy aktivitete ndërkombëtare

Taekuondoja shqiptare në versionin Ëorld është në prag të dy aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare. Së pari bëhet fjalë për Kampionatin Europian të të rinjve, që zhvillohet në Talin të Estonisë dhe Kampionatin Botëror të Kadetëve në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës. Në Europian Shqipëria do të konkurrojë me Ernest Merdanajn, Ibrahim Hidrin dhe Isra Metën. Pretendimet e kuqezinjve vijnë nëpërmjet fjalës së drejtorit teknik të Federatës Shqiptare të Taekuondosë, Marsel Peti.
“Kemi pretendime realisht shumë të mëdha dhe këto i presim nga sportisti Ernest Merdanaj, që u rendit vitin e kaluar i pesti në Kampionatin Botëror të juniorëve”, tregon Marsel Peti.
Ndërkohë në Botërorin e Kadetëve, Shqipëria përfaqësohet nga Ruejda Beka, Lorigla Hysa, Merida Meta dhe Ditjon Gjikaj. Peti deklaron:
“Ne shpresojmë që të japin maksimumin. Sigurisht që tek të rinjtë ne pretendojmë medalje, kurse tek kadetët, duke qenë se janë sportistë realisht të rinj, atëherë mjafton që të krijojmë baza të forta për të ardhmen”.
Taekudondoja shqiptare ka falenderuar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për mbështetjen, ndërsa premtohet një përfaqësim dinjitoz.