Tafaj: 2017 shkolla me internet
2107 shkolla kanë internet tashmë në të gjithë vendin, sipas ministrit të Arsimit, z. Myqerem Tafaj. Gjatë përshëndetjes në një ceremoni të posaçme të këtij projekti, ministri deklaroi se kjo është një ëndërr e realizuar tashmë. “Sot bëhet realitet ajo që vetëm 4–5 vjet më parë, ishte një ëndërr për thuajse gjithë nxënësit e Shqipërisë, mësimi me kompjuter dhe lundrimi në internet 2107 shkolla janë pajisur me kompjuter dhe lidhur në internet. Rreth 500 mijë nxënës fillojnë të mësojnë me kompjuter dhe internet në shkollë. Investimi total për infrastrukturën hard dhe lidhjen e internetit arrin vlerën 15.45 mln USD”. Që prej vitit 2005, janë instaluar 1497 laboratorë informatike me afro 17 000 PC në gjitha shkollat e vendit. Në këto shkolla nxënësit mësojnë të përdorin programet bazë të kompjuterit dhe kanë akses në internet. Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe përdorimi i teknologjive të reja të të mësuarit dhe të të nxënit ndihmohet nga përdorimi i 2000 kompjuterëve laptop dhe 2000 videoprojektorë. Lidhja e shkollave në internet është pjesë e projektit “Cilësi dhe barazi në arsim” (CBA) që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka mbështetur hartimin e “Masterplanit për programin e E-shkollave në Shqipëri”.
Integrim për personat me aftësi të kufizuara
Pas një viti të gjithë personat me aftësi të kufizuara do të gëzojnë të njëjtat mundësi dhe të drejta, si në Evropën Perëndimore. Zv.ministrja e Çështjeve Sociale, Filloreta Kodra, gjatë një takimi me persona me aftësi të kufizuara, në kryeqytet, është shprehur: “Së shpejti do të fillojë ratifikimi i konventës për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri, procedura e të cilës kërkon një vit kohë”. Më tej, znj. Kodra ka thënë: “Dua të dëshmoj vendosmërinë dhe përkrahjen e qeverisë ndaj personave me aftësi të kufizuara”. I pranishëm ishte dhe Imzot George Frendo, i cili në fjalën e tij është shprehur: “Ne sot duam të tregojmë se jemi më shumë solidarë me ata që kanë nevojë”. Gjatë aktivitetit u promovua dhe botimi i “Dimension 1” i cili tregon vlerat dhe kërkon integrimin e personave me aftësi të kufizuara. Ndërkohë, Albert Nikolla, drejtori i Caritasit shqiptar tha: “Vetë prania e znj. Kodra dëshmon mbështetjen e shtetit shqiptar, por ne do të kërkojmë më shumë bashkëpunim të mëtejshëm midis dy palëve”. Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara ka si synim promovimin e çështjeve për të kuptuarin e aftësisë si dhe përkrahjen e këtyre individëve. Të pranishëm ishin persona me aftësi të kufizuara nga Fushë-Kruja, Shkodra dhe Tirana. Këtë e ka treguar mjaft mirë dhe pjesëmarrja e grupit muzikor i përbërë nga persona me aftësi të kufizuara i ardhur nga Shkodra, të cilët luajtën disa pjesë muzikore gjatë takimit. Në muajin qershor të 2010-s do të marrin pjesë në një koncert që do të mbahet nga personat me aftësi të kufizuara në Norvegji.