E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan; U kapën me kanabis, ndalohen dy persona



Dy persona ranë në prangat e policisë në Elbasan, pasi akuzohen si shpërndarës të lëndëve narkotike. Uniformat blu ndaluan 33-vjeçarin Dritan Hida, i dënuar më parë për veprën penale të “plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje”, si dhe 19-vjeçaren Mirela Çaushi, të dy lindur e banues në Elbasan. Sipas policisë, ndalimi i tyre u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata shpërndanin në vende të ndryshme lëndë narkotike. Kështu, në një dyqan në lagjen “11 Nëntori” pronë e shtetasit A.I., 19-vjeçarja ka lënë një sasi lënde narkotike, ku më pas është larguar në drejtim të paditur me qëllim shmangien e kapjes nga shërbimet e policisë. Gjatë kontrollit të çantës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 pako plasmasi transparente si ato të farmacisë, të mbyllura e të mbushura me një sasi materiali bimor me ngjyrë jeshile në gjendje të thatë, i cili për nga karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike e kanabis sativa, ku pesha e së cilës është 65 gramë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të bërë në banesën e shtetasit Dritan Hida, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 pako celofoni transparente, ku në njërën anë të saj ishte e ngjitur me anë të djegies, brenda së cilës gjendej një sasi materiali bimor me ngjyrë jeshile në gjendje të thatë, i cili për nga karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike të llojit kanabis sativa, me peshë rreth 6 gramë. Të dy të ndaluarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›