Tregtia me jashtë, ulet deficiti 10% në tetor krahasuar me shtatorin
Deficiti tregtar në muajin tetor është ulur me afro 10% krahasuar me muajin shtator të vitit 2009. Të dhënat e publikuara dje nga INSTAT bëjnë të ditur se në muajin tetor 2009 u eksportuan 9.644 milionë lekë mallra, me rritje 1 për qind në krahasim me shtator 2009 dhe rritje me 0.8 për qind në krahasim me tetor 2008. U importuan 37.436 mln lekë mallra me ulje 7.9 për qind në krahasim me shtator 2009 dhe ulje 12.1 për qind në krahasim me tetor 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 27.792 mln lekë, duke shënuar një ulje prej 10.7 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 15.8 për qind krahasuar me tetor 2008. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian është 68.2 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 66.5 për qind dhe importi 27.8 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 6.3 për qind dhe importi 14.2 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Gjermani, Greqi, Itali, Maqedoni, Spanjë etj., dhe për importin, Austri, Gjermani, Itali, Kroaci, SHBA, Turqi etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon që: eksporti i grupit “Prodhime druri dhe letre” u rrit 35 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 32.7 për qind, “Ushqime, pije, duhan” u rrit 31.4 për qind etj. Ndërsa eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 27.4 për qind etj. Importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 60.7 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 24.8 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 4.6 për qind etj. Ndërsa importi i grupit “Prodhime druri dhe letre” u ul 26 për qind etj. Në tetor 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.932 mln lekë, duke zënë 10.5 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me shtator 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 19.4 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës (52.8 për qind).
Bllokohen 16 pika karburantesh e gazi, gjobiten 120
Kontrolli i ushtuar nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në pikat e tregtimit të karburanteve kanë gjetur shkelje të rënda dhe për pasojë kanë bllokuar 16 stacione karburanti në Tiranë e qytete të tjera, ndërsa 120 të tjera janë gjobitur. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes njoftoi dje se në zbatim të ligjit “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre" i ndryshuar, dhe ligjit "Për garantimin e sigurisë të punës të pajisjeve nën presion", IQT dje ka nisur kontrollet dhe do të vazhdojë të gjitha stacionet e tregtimit të karburanteve, autogazet dhe shoqëritë e tregtimit të gazit të lëngëzuar të naftës. Objekti i kontrollit është siguria teknike e pajisjeve dhe instalimeve teknologjike, cilësia e karburantit që tregtohet, si dhe respektimi i kushteve dhe normave teknike. Deri tani në Tiranë dhe Durrës janë bllokuar 6 stacione karburanti, si dhe janë gjobitur 45 subjekte. Në shkalle vendi numri i stacioneve të gjobitura është 75 kurse i atyre të bllokuara arrin në 10. Në zbatim të urdhrit të kryeinspektorit z. Virgjil Joti të datës 25 nëntor kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë prefekturat, ku një rëndësi të veçantë po i kushtohet veprimtarisë së tregtimit të bombolave GLN në mënyrë informale dhe të pacertifikuar.