Tafaj: 4 provimet e maturës do të mbyllen brenda qershorit
Mesatarja do të ketë të njëjtën peshë. Nuk ka shtim të lëndëve me zgjedhje
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka shuar kureshtjen e mijëra maturantëve, duke u dhënë përgjigje disa prej pyetjeve kryesore që ata kanë lidhur me këtë proces. Kreu i arsimit në vitin e katërt të Maturës Shtetërore është shprehur se këtë vit ndryshimet nuk do të jenë të mëdha. Ato konsistojnë veçanërisht në datat e zhvillimit të provimeve. Kështu, të katër provimet e fundit, dy të detyruarat dhe dy të lëndëve me zgjedhje, maturantët do t’i japin brenda muajit qershor. Në këtë mënyrë, ata do t’i kenë të gjitha rezultatet përpara se të plotësojnë Formularin A2 të zgjedhjes së degëve të preferuara. Kjo do t’u krijojë atyre edhe një shans më të madh për t’u përzgjedhur me objektivitet degët e universiteteve publike në vend.
“Të gjitha provimet të mbyllen brenda qershorit. Drejtoritë e MASH-it dhe drejtoritë rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur të katër notat e provimeve dhe mesataren”, u shpreh Tafaj në një bashkëbisedim me nxënës, mësues dhe prindër lidhur me fazën më të rëndësishme të përfundimit të shkollës së mesme dhe kalimit në shkollën e lartë, Maturën Shtetërore 2010.
Ministri i Arsimit, duke iu përgjigjur interesimit të nxënësve, është shprehur se asnjë lëndë e re me zgjedhje nuk do të shtohet këtë vit në Maturën Shtetërore. “Do të respektohen të gjitha afatet që kemi dhe në 10-ditëshin e parë të shkurtit janë shumë gjëra që mbyllen për maturën, por lëndët me zgjedhje do të mbeten të njëjtat me ato të vjetshmet, nuk ka asnjë ndryshim”, garantoi Tafaj. Gjithashtu ai ka shpjeguar se nuk do të ketë asnjë ndryshim edhe lidhur me peshën e mesatares në llogaritjen përfundimtare të fituesve. “Mesatarja do të vazhdojë të zërë 20% të peshës. Procedurat do të jenë krejtësisht të njëjta, por do të lehtësohen shumë gjëra për të rritur transparencën, por jo ndryshime themelore, tha ministri Tafaj, duke theksuar se nuk do të ndryshojë as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm, as numri i lëndëve me zgjedhje dhe as vetë lëndët me zgjedhje”.
Ai ka pohuar se kur u zhvillua matura janë marrë mendime dhe modele nga më të ndryshmet. “Në fillim mendoja se pesha që zë mesatarja të ishte diku tek 20%, por duke qenë plotësisht të vetëdijshëm që ne kemi ende diferenca jo të vogla në nivelin dhe cilësinë e shkollave të ndryshme, është ende herët të rrisim përqindjen që zë mesatarja”, tha Tafaj. Ai ka veçuar faktin se në të ardhmen ne jemi shprehur të gatshëm për t’u përfshirë në vlerësimin internacional të arsimit parauniversitar, PISA. Në rast se shkollat tona do të vlerësohen në programin e PISA-s në 2010-2011, ne do të kemi një bazë shumë më reale për nivelin cilësor të sistemit tonë arsimor parauniversitar. Pra do të kemi dhe një bazë reale të diferencave që do të ekzistojnë midis shkollave. Në momentin që do të shohim që këto diferenca janë të pakonsiderueshme, atëherë do të vendosim që të rrisim peshën e mesatares, por më parë kjo nuk na ndihmon. Matura 2010 do të ketë përsëri mesataren prej 20% të totalit të pikëve”, ka përfunduar ai argumentimin për këtë çështje.
Tafaj ka vënë në dukje se “objektivi ynë është që Matura Shtetërore në shkollat shqiptare të afrohet gjithmonë e më shumë me maturat e vendeve të BE-së, në mënyrë që gjimnazistët shqiptarë të hyjnë në të gjitha universitetet e Europës dhe përtej saj pa dhënë asnjë provim plotësues. Ky është një objektiv afatmesëm, ndoshta edhe pak afatgjatë, por është realist dhe ndihmon të rinjtë në të gjitha trevat e Shqipërisë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e huaja”. Sipas tij, rritja e standardeve të maturës do të bëjë të mundur rritjen e nivelit cilësor të studimeve universitare, që universitetet të rrisin konkurrencën midis tyre. “Do të jenë universitetet e parë që do të kenë mundësi reale për të ofruar lëndë dhe module në nivel më të lartë cilësor, krejtësisht të njëjtë me shkollat perëndimore, duke shfrytëzuar profesoratin shqiptar, por duke ftuar edhe profesorë nga vendet e tjera për të zhvilluar një cikël leksionesh ose module të plota në gjuhët e huaja kryesore, që zhvillohen në shkollat tona”, ju tha ministri i Arsimit maturantëve.
#