E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet furra 300-vjeçare

Zbulimi
Në  kështjellën e Gjirokastrës gjendet objekti i rrallë, i përshkruar në romanin e Ismail Kadaresë, “Darka e gabuar”. Sipas ekspertëve, furra mund të jetë ndërtuar rreth viteve 1811-1812, gjatë kohës kur sundoi Ali Pashë Tepelena

Tentativa për të ndërtuar muzeun “Kronikë në gur” në mjediset e brendshme të kështjellës mesjetare të Gjirokastrës, ka bërë të mundur që të zbulohet një monument i rrallë, fshehur ndoshta që në fillim të shekullit të kaluar brenda mureve të kësaj kështjelle. Bëhet fjalë për një objekt që lexuesi i rregullt i romaneve të shkrimtarit Ismail Kadare, e ka gjetur të përshkuar me shumë imtësi te “Darka e gabuar”. Një furrë gatimi rreth 300-vjeçare është zbuluar brenda mureve të galerive të gurta të galerisë së arteve figurative “Gjin Zenebishi”. Ajo vjen si një dëshmi se ky mjedis ka shërbyer si kuzhinë dhe mensë për trajtimin ushqimor të një garnizoni të madh ushtarak. Oliver Glikes, eksperti i monumenteve nga Britania e Madhe, që punon prej 10 vjetësh në zbulimin, restaurimin dhe menaxhimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Butrint, Sarandë dhe Gjirokastër, thotë se monumenti ka dalë në dritë nga punimet për ngritjen e një muzeu të profilit arkeologjik, historik dhe etnografik brenda mureve të kësaj kështjelle. Sipas tij, ky është një objekt tepër domethënës për kështjellën në fjalë. Furra ishte mbuluar nga ndërhyrjet për ndërtimin e ish-burgut të Gjirokastrës, ndoshta qysh nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar. Eksperti anglez, profesor i arkeologjisë në universitetin “East”, nënvizon se ky zbulim i rastësishëm merr vlera të jashtëzakonshme, pasi evidenton aspekte të rëndësishme të evoluimit të jetës brenda kështjellës.
Zbulimi ka tërhequr edhe vëmendjen e shumë ekspertëve të tjerë të monumenteve. Një prej tyre, Diana Walters, bashkëkoordinatore e projektit për ngritjen e Muzeut Rajonal Historik dhe Etnografik, “Kronikë në gur”, thotë se nga ky zbulim i papritur ndihet e emocionuar, ashtu sikurse ndihet e impresionuar nga gjithçka antike dhe historike që gjeti në Gjirokastër. Ajo vijon se projekti në të cilin është angazhuar, synon të sjellë në vëmendje historinë e njerëzve të thjeshtë në Gjirokastër, mënyrë se si ata kanë jetuar ndër vite dhe të servirë një guidë origjinale dhe interesante për vizitorët europianë në luginën e Drinos.
Ndërsa për drejtorin rajonal të monumenteve të kulturës, Spartak Drasa, ky zbulim është një sfidë më shumë për specialistët e monumenteve për të bërë evidente vlerat e pazbuluara ende të kësaj kështjelle. “Punimet restauruese dhe gërmimet po rikthehen në kështjellën e Gjirokastrës pas disa dekadash dhe specialistët mendojnë se janë të përgatitur për t’u përballuar edhe me surpriza të tjera. Sipas ekspertëve, më shumë se 70 për qind e territorit të saj është ende një mister”, tha Drasa. Struktura qeramike që shoqëron pjesën e sipërme të furrës, ka shërbyer për përgatitjen e gjellëve dhe pjekjen e bukës për ushtarët e garnizonit turk, të dislokuar në brendësi të kështjellës. Furra është vlerësuar prej arkeologëve anglezë si një nga gjetjet më interesante në kështjellën e Gjirokastrës gjatë gërmimeve në njërën prej gjashtë galerive më interesante të saj, që gjatë 3-4 viteve të fundit ka shërbyer si galeri arti.
Sipas Drasës, zbulimi më i fundit i përket pa asnjë dyshim periudhës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Duke u bazuar edhe në kronikat e kohës, furra mund të jetë ndërtuar rreth viteve 1811-1812, periudhë e cila lidhet me ndërtimet dhe rindërtimet më të mëdha të kryera ndonjëherë në kështjellën e Gjirokastrës, të udhëhequra nga mjeshtri i famshëm Petro Korçari. Punimet për krijimin e këtij muzeu historiko-etnografik parashikohet që do të demonstrojnë stilin e jetës së banorëve në të gjithë luginën e lumit Drino në disa periudha historike që nisin nga lashtësia. Iniciativa e këtij projekti i përket organizatës joqeveritare për ruajtjen dhe konservimin e Gjirokastrës historike (GCDO), e cila vepron prej afro 10 vjetësh në këtë qytet. Projekti, i cili është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, ka një vlerë prej rreth 200 mijë dollarësh. Një pjesë e këtij fondi do të financohet për fazën e parë nga fondi i ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, John Withers. Në ambientet e këtij muzeu do të ekspozohen vlerat arkeologjike dhe historike të krejt luginës së Drinosit. Në ndryshim nga muzetë e dikurshëm, ky do të synojë kryesisht vizitorët që dëshirojnë ta njohin Gjirokastrën parë nga këndvështrimi turistik.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›