E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa është në kuadrin e përpjekjeve për të ulur deficitin buxhetor

Kriza

Brukseli, pro masave të Greqisë “Do mbështesim reduktimin e shpenzimeve”
Komisioni Europian ka vendosur që të mbështesë planet e qeverisë greke për të shkurtuar shpenzimet publike. Këtë hap komisioni do ta ndërmarrë në takimin e së mërkurës, ku do të takohen të gjithë komisionerët e organizatës. Në komentet e djeshme të bëra nga një pjesë e shtypit perëndimor të mbështetura më pas menjëherë në një konferencë për shtyp në Bruksel, komisioneri i çështjeve monetare, Joaquin Almunia, tha se reduktimi i shpenzimeve është i mundshëm, por do të shoqërohet nga rreziqe. “Ajo çka u themi autoriteteve greke është se Komisioni Europian është plotësisht mbështetës ndaj vendimeve të marra nga Athina për të reduktuar sa më shumë të jetë e mundur dhe brenda një kohe të shkurtër deficitin buxhetor”, ka deklaruar komisioneri në fjalë. Muajin e kaluar, administrata e re socialiste e Pasokut paraqiti një plan para komisionit, në të cilin nënvizoheshin masat që do të merreshin për të ulur deficitin buxhetor nën 3% deri në vitin 2012. Pragu i 35 është një tavan i vendosur nga Pakti i Stabilitetit dhe rritjes së Komisionit Europian, një tërësi rregullash makro-ekonomike që kufizojnë borxhin kombëtar në nivelin 60% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Deficiti i Greqisë vitin e kaluar arriti nivelin 12.7%, por barriera u kalua edhe nga vende të tjera, 19 prej tyre si pasojë e çrregullimeve të ardhura nga kriza ekonomike, shpenzimet e paketës së stimulit, shtimi i papunësisë e të tjera çrregullime. Komisioni gjithashtu do të krijojë një program monitorimi më të rreptë dhe një listë masash për t’u marrë në rast se Greqia do të dështojë në përpjekjen e saj për të reduktuar shpenzimet në favor të uljes së buxhetit. “Ne nuk do të pranojmë vonesa dhe kthime në arritjen e objektivave nga ana e Greqisë dhe sa herë që do ta vëmë re një gjë të tillë do të marrim masat përkatëse”, ka vazhduar komisioneri i Komisionit Europian.
Ministrat e Financës së Bashkimit Europian pritet që të adaptojnë rekomandimet e komisionit në takimin e tyre rutinë në mes të shkurtit. Greqia do të paraqesë raportin e saj më 16 mars dhe më pas raporti i radhës do të vijë tre muajt e tjerë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›