E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj, mesfushori i Tiranës testime me Hiberninan në Maltë

Endri Tafaj, mesfushori i ri i Tiranës ndodhet në Maltë në testime e sipër me skuadrën ishullore, Hibernians. Domethënës është një fakt se zëvendëstrajneri i skuadrës malteze është shqiptari Edmond Lufi, i cili ka luajtur më parë me Vllazninë e Tiranën, por ka luajtur me Hibernians në sezonin 2003-2004.
Futbollisti Tafaj (i menaxhuar nga Gëzim Mance) ka shumë mundësi të nënshkruajë me ekipin maltez, që pas një fillimi të mirë në kampionat në tre javët e fundit të pjesës së parë të sezonit po kalon një periudhë dëmtimesh (ndeshjen e fundit e humbën 5-0 me Marsaklok).
Sipas menaxheri të tij, Mance, kontaktet me Tafajn (mesfushor krahu me tipare sulmuese) u vendosën qysh kur futbollisti kryente fazën përgatitore me bardheblutë në Antalia të Turqisë. Hibernian, në fakt ka dy lojtarë të huaj dhe rregullat në Maltë lejojnë deri në tre.
Sipas Gjergji Bitrit, gjyqtarit ndërkombëtar të futbollit në sallë (me banim në Maltë), Hibernians ka trajnerin më të mirë në Maltë, Robert Gatt, i cili më parë ka qenë trajner dhe ndihmëstrajner i përfaqësuese malteze.
Drejt Maltës do të udhëtojë pas disa ditësh edhe kamerunasi Abada Fish, ish-lojtar i Tiranës, por i lënë jashtë planeve të Flamurtarit pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›