E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri - Reichel: Serbia të shpërbëjë strukturat paralele

Tahiri dhe Reichel kërkojnë shuarjen e strukturave paralele

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri ka pritur sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë z. Ernest Reichel. Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, poashtu u bisedua për situatën politike në vend dhe rrjedhat e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.

Në këtë takim Zëvendëskryeministrja Tahiri edhe një herë kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë për perspektiven euroatlantike të Kosovës dhe proceset e reformave në vend, ajo shtoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara me qëllim të nënshkrimit sa më të shpejtë të marrëveshjes për stabilizim asocim dhe marrjen e liberalizimit të vizave.

Lidhur me situatën politike në vend, Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se aktet e fundit të kryera nga Qeveria e Serbisë janë cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe standardet evropiane për fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme të mbarë rajonit. Tahiri tha se institucionet e Kosovës i janë përgjigjur me maturi shtetërore këtyre provokimeve të rënda të Serbisë dhe Kosova edhe një herë e dëshmoi se është një vend ku mbizotëron fryma evropiane.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se mosmbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe zhbërja e strukturave paralele janë domosdoshmëri dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të cilën Serbia patjetër se duhet ta respektoj.

Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se zbatimin e plotë të marrëveshjeve pala serbe është duke e prolonguar, kjo edhe për faktin se ende nuk e ka nënshkruar protokollin teknik për marrëveshjen e integruar të kufijve i cili ishte kusht i BE-së për marrjen e statusit të kandidatit.

Në anën tjetër ambasadori Reichel tha se shteti i tij është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen politike në vend e sidomos zbatimin e marrëveshjeve të cilin e konsiderojnë kyç për proceset e mëtejme të stabilizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht për avancimin e të dyja vendeve drejtë BE-së. Ai tha se çmon lartë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për angazhim konstruktiv në këtë proces dhe se përkrahja e Gjermanisë për Kosovën do të jetë e vazhdueshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›