E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Gati kallëzimi penal ndaj Rulit

Deputeti Sajmir Tahiri, tha këtë të diel, se padia bëhet për të ndihmuar hetimet dhe për të nxjerrë para drejtësisë ministrin në fjalë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ai rikujtoi edhe një herë se në ditët e fundit kur Ruli mbante postin e ministrit të Ekonomisë, ka ndryshuar një marrëveshje koncesionare të një kompanie private pa u miratuar më parë nga Kuvendi i Shqipërisë.

 “Pozita ligjore e Genc Rulit në lidhje me kontratën koncesionare rëndohet edhe më tej nga fakti se zoti Ruli, i ka falur kësaj kompanie edhe një gjobë prej 1.6 milion eurosh, duke e lidhur shlyerjen e saj me rimbursimin e TVSH. Në këtë rast Genc Ruli ka kryer një tjetër shkelje të rëndë të ligjit duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke hyrë në kompetencat e Ministrisë së Financave”, theksoi Tahiri nga selia rozë.

Duke theksuar se ministri Ruli ka pranuar publikisht se ka shkelur ligjin, deputeti i opozitës tha se tashmë i mbetet prokurorisë të nisë hetimet e saj për të zbardhur këtë aferë. “I mbetet prokurorisë që të ndërmarrë hapat e nevojshme për ta marrë Genc Rulin të pandehur dhe për të hetuar deri në fund arsyet që e kanë shtyrë Genc Ruli të shkelë ligjin në mënyrë kaq flagrante e të përsëritur. Vetë Genc Rulit i mbetet të rrëfejë në Prokurori, shkeljen e ligjit me të dyja këmbët, siç e pranoi publikisht para medieve”, përfundoi ai. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-26 14:29
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›