E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Javën tjetër, plani i detajuar

Të hënën, më 17 qershor, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, do të bëhet zyrtari i parë i Kosovës që do të fillojë punën në Beograd. Nesër, Kosova e Serbia do të shkëmbejnë zyrtarët ndërlidhës që do të vendosen në zyrat e tyre në kuadër të Bashkimit Evropian, ku nga ana e Serbisë në Prishtinë do të vendoset Dejan Pavicevic.

Ky është procesi që ka pasuar nga vendimi i marrë në muajin janar në Bruksel, mes dy kryeministrave Thaçi dhe Daciç. Ndërkohë që po punohet për zbatimin e pikave që janë të parashikuara me marrëveshjen Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, e arritur rreth dy muaj më parë, më 19 prill.

Dy ditë më parë, Serbia ka mbyllur zyrën e policisë ilegale në Leposaviç, ndërsa ditët në vijim priten mbyllja e zyrave në komunat e tjera me shumicë serbe në veri.

Palët negociuese që po merren me zbatim të Marrëveshjes, gjatë javës që po e lëmë pas kanë përfunduar raundin e dytë të takimeve në Bruksel, ndërsa kanë paralajmëruar se në fund të javës së ardhshme do të jetë i gatshëm plani përfundimtar i cili do të sqarojë në detaje se si do zbatohet marrëveshja, dhe do ti ndajë përgjegjësitë dhe obligimet e palëve si dhe afatet kohore.

Ndonëse tashmë disa afate kohore të parashikuara me Marrëveshjen e 19 prillit edhe kanë kaluar, siç është rasti me telekomin dhe energjinë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri ka theksuar se javën e ardhshme do të jetë gati plani i detajuar për zbatimin e Marrëveshjes, i cili parashikon detyrimet e secilës palë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim si dhe afatet kohore për realizimin e këtyre detyrimeve.

Pala serbe ka për detyrë të bëjë zhbërjen e strukturave ilegale serbe në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, dhe sipas Tahirit shpërbërja e plotë duhet të realizohet deri në fund të muajit shtator. Kurse detyrimett e palës kosovare janë ato për integrimin e individëve serbë në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Pala kosovare ka gjithashtu për detyrë që të emërojë komandantin rajonal për katër komunat me shumicë serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila siç thotë Tahiri, pritet të bëhet në fillim të javës tjetër.

Në axhendën e bisedimeve në raundin e fundit prej 10 deri më 14 qershor, ishin çështjet e drejtësisë, sigurisë, procesi i krijimit të asociacionit dhe zgjedhjeve lokale. Dhe ajo që u vendos të premten në Bruksel mes palëve ishte emërimi i ekipit menaxhues të asociacionit të komunave serbe në veri.

Sipas një teksti të planit të zbatimit të Marrëveshjes Kosove-Serbi, të cilin e ka publikuar gazeta serbe Danas, thuhet se palët janë marrë vesh që integrimi i serbëve të veriut në institucione të Kosovës të bëhet deri në fund të këtij viti. Plani parashikon gjashtë elemente kryesore, ku i pari është përshtatja e kornizës ligjore.

Parashikohet që të dy palët deri në fund të qershorit të miratojnë ndryshimet ligjore të domosdoshme për implementim të Marrëveshjes përfshirë dhe ligjin për amnisti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›