E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Kafshët kanë dalë jashtë kontrollit. Avokati i Argitës dhe Shkëlzenit: Po fshihesh pas gënjeshtrave

Share

Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, kërkoi sot nga Gjykata që të rihapë procesin gjyqësor ku i akuzuar është ai dhe akuzues janë fëmijët e Berishës. Gjykata e mbylli hetimin seancën e kaluar dhe tani pret që të japë vendimin.

Sot gjykatës ia thashë disa prova. Këtu kam një shkresë të z.Aldo Bumçi drejtuar z.Fatmir Mediu me mbishkrimin për z.Shkëlzen Berisha. Kjo është provë dhe bëhet fjalë për kohën kur demontoheshin armët dhe municionet në Gërdec dhe z.Shkëlzen Berisha merrte fakset nga ministrat. Këtu kam tabulatin e telefonit të z.Mihal Delijorgji, i cili vetëm 30 minuta pas tragjedisë së Gërdecit i ka telefonuar për 50 sekonda z.Shkëlzen Berisha. Këtu kam procesverbalin e prokurorëve me numër, datë dhe firmë ku thuhet qartësisht se është administruar një faks me mbishkrimin për z.Shkëlzen Berisha firmosur nga vetë prokurorët. Dhe këtu kam procesverbalin e sekretares së ministrit të asaj kohe të drejtësisë, e cila deklaron në prokurori se po mbishkrimi për z.Shkëlzen Berisha është shkrimi i ministrit të asaj kohe z.Aldo Bumçi. Unë i kam të gjitha këto prova, kërkoj vetëm që ti marr në formën e kërkuar nga ligji, tha Tahiri.

Deputeti socialist përdori një shprehje të përdorur nga Efraim Diveroli duke iu referuar Shkëlzen Berishës, kur tha se kafshët kanë dalë jashtë kontrollit.

Ky proces gjyqësor nuk mund të mbyllet me një palë që janë fëmijët e kryeministrit dhe të cilët provë të vetme kanë sjellë certifikatën familjare a thua se të provosh se je fëmijë i kryeministrit ke provuar gjithçka dhe me një palë tjetër që jam unë, në emër të të gjithë kolegëve dhe të mbështetësve, pa mundësinë për të dhënë provat e mia dhe për të provuar atë që kam deklaruar. Në kohën kur ndodhi shpërthimi në Gërdec dolën përgjimet dhe Deviroli në atë kohë deklaronte kafshët kanë dalë jashtë kontrollit. Në fakt kafshët kanë dalë jashtë kontrollit dhe ende sot janë jashtë kontrollit. Është detyra jonë dhe mbi të gjitha detyra e gjykatës ti mbajë në kontroll me ligj. Unë nuk i nënshtrohem dot kafshëve që kanë dalë jashtë kontrollit, tha Tahiri.

Pas deklaratave të deputetit Sajmir Tahiri reagoi avokati i Argita dhe Shkëlzen Berishës, Sokol Barçi.

Pas përpjekjesh të dëshpëruara për t’iu fshehur një procesi ligjor nëpërmjet gënjeshtrash e fshehjesh për të shtyrë seancat gjyqësore, deputeti Tahiri edhe sot tregoi që nuk respekton institucionin e gjykatës kur gënjen për arsyet pse nuk janë thirrur njerëzit të marrin pjesë në seancë, kur vazhdon të shpifë dhe të interpretojë sipas interesit të tij dokumente që prokuroria i ka provuar si falsifikime apo si të pavërteta.

E vetmja mënyrë për të provuar të kundërtën ka qenë që ai të tregonte se në momentin kur ka bërë deklaratën ka pasur në dorë prova konkrete ku është bazuar.

Tahiri nuk ka paraqitur dot prova të tilla. Ai i ka kërkuar gjykatës dhe paditësve tia gjejnë ato. Ai ka bërë çmos të pengojë drejtësinë duke shtyrë seancat e gënjyer gjykatën, ka preferuar të bëjë show para kamerave në rrugë, në vend që të vijë në sallë të gjyqit dhe ti bindet rregullave të një procesi të drejtë ligjor, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›