Tahiri: Menaxhim të integruar kufijsh

Shefja e delegacionit të Republikës së Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se ideja e Bashkimit Evropian për menaxhimin e përbashkët të integruar të gjithë kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje, është e pranueshme për shtetin e Kosovës, pasi një marrëveshje e tillë është konform përcaktimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas Telegrafit, Tahiri është shprehur se një model i tillë është duke u zbatuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ndërkohë, që është në përgatitje me Malin e Zi.
“Në parim kemi dhënë pëlqim që ky model të zbatohet edhe me shtetin fqinj, Serbinë”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka thënë se nuk sheh ndonjë pengesë në zbatimin e kësaj marrëveshje me Serbinë. “Nuk shoh vështirësi për ta zbatuar këtë marrëveshje, sepse Kosova e ka sistemin unik të doganave dhe të kontrollit të kufirit. Sipas modelit evropian për menaxhimin e integruar të kufijve, dy shtetet që vendosin këtë bashkëpunim punojnë sipas juridiksionit të shteteve të tyre. Pra, të dyja shtetet zbatojnë ligjet e tyre”, është shprehur Tahiri.
Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri ka mohuar zërat se BE po zhvillon bisedime me Serbinë lidhur me pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Reagimi i Tahirit ka ardhur pasi një zyrtar evropian deklaroi se palët po diskutojnë opsione të ndryshme, për të gjetur një zgjidhje që do t’i kënaqë të gjithë.
Por sipas shefes së delegacionit kosovar, deklarata të tilla janë vetëm propagandë e zyrtarëve serbë.
“Këto janë deklarata të pavërteta të lëshuara nga propaganda serbe. BE, SHBA dhe Kosova janë në të njëjtën linjë, se cështja e doganave është cështje e sovranitetit të Kosovës”,ka deklaruar Tahiri.
Sipas saj, pikat kufitare do të qeverisen nga institucionet kosovare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, KFOR dhe EULEX.
Negociatorja ka nënvizuar më tej se BE po bisedon me palën serbe në lidhje me detyrimet e Beogradit përballë Unionit.