E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Ndryshimet në rregullore, atentat ndaj Kushtetutës

Partia Socialiste ka deklaruar se ndryshimet në rregullore janë një atentat që i bëhet parlamentarizmit dhe Kushtetutës së vendit.

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PS-së, deputeti Sajmir Tahiri theksoi se kryetarja Jozefina Topalli kërkon ta kthejë rregulloren e Kuvendit në rregulloren e pushtetit.
 

Sipas tij kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli po cënojnë rëndë shtetin ligjor.

"Partia Socialiste kërkon rikthimin e shtetit ligjor duke konstatuar se parlamenti nuk është një institucion i varur. Ne kërkojmë implementimin e një reforme tërësore që të mund të kthejë parlamentin në shinat kushtetuese" theksoi më tej Tahiri.

Gjithashtu deputeti Tahiri theksoi se PS-ja do të kërkojë një hetim të plotë në lidhje me abuzimet me detyrën të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
 
Ndërkohë i pyetur për nismën e mazhorancës për kufizimin e imunitetit të deputetëve, Tahiri theksoi se PS-ja është për një kufizim real të imunitetit duke ndryshuar Kushtetutën.
 

“PS-ja ka qënë e para që ka kërkuar kufizimin e imunitetit por ishte Berisha ai që e kundërshtoi këtë masë për të fshehur ministrat e tij të korruptuar pas imunitetit” theksoi Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›