Hamarberg: Hetim të drejtë e të paanshëm për 21 janarin
Komisioneri për tё Drejtat e Njeriut nё Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg ka kërkuar një hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të ngjarjes së 21 janarit.
Në një takim me kreun e shtetit Bamir Topi komisioni Hamarberg theksoi se duhet një hetim i drejtë dhe profesional i ngjarjeve të 21 janarit 2011, duke pasur parasysh mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe rëndësinë e institucioneve të pavarura në këtë drejtim, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës.
Ndërsa kreu i shtetit Bamir Topi duke iu referuar situatës politike në vend shprehu qëndrimin e tij institucional se rivendosja e dialogut politik, gjetja e rrugëve institucionale për t`u ulur në tryezën e bisedimeve me alternativë konkrete të zgjidhjes, janë të domosdoshme për të dalë nga kjo situatë që ka paralizuar funksionimin normal të marrëdhënieve ndërinstitucionale në vend.
Sipas tij dialogu politik është e vetmja mundësi për të zhvilluar e për të përfunduar me sukses ato projekte madhore që Shqipëria ka nisur tashmë, duke patur parasysh këtu dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve për pushtetin vendor, që priten të realizohen në 8 maj të këtij viti.
Gjithashtu kreu i shtetit vlerësoi rolin e rëndësishëm të Këshillit të Evropës në Shqipëri në intensifikimin e proceseve reformuese demokratike për forcimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor, për respektimin e tё drejtave dhe lirive themelore tё njeriut, si dhe përmbushjen e standardeve në funksion të integrimit evropian. Topi gjithashtu nënvizoi angazhimin maksimal të Institucionit të Presidentit për promovimin e vlerave demokratike dhe mbrojtjen e garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.