VV: Arsimi në Malishevë në shërbim të PDK-së

Java e parë e shtatorit është fillimi i vitit të ri shkollor. Objekteve Shkollore në Komunën e Malishevës ju drejtohen me mijëra nxënës e arsimtarë. Në një shoqëri normale do të ishte javë e gëzimit e punës, por kjo s’po ndodhë në Komunën e Malishevës.
Kjo për shkak se pushteti aktual me veprimet e tij e ka sjellë sistemin arsimor buzë greminës duke e shndërruar arsimin nga tempulli i dijës në fole të partisë. Edhe këtë vit pushteti aktual përmes Drejtorisë së Arsimit e shfrytëzoj konkursin publik për të shtrirë ndikimin e partisë, për të shantazhuar punëtoret e arsimit, për të realizuar interesa partiake e familjare si dhe për të eliminuar kuadrat profesionale ngjashëm si në kohen e diferencimeve politike.
I tërë procesi i rekrutimit të mësimdhënësve nga fillimi e deri në fund është përcjellë me shkelje ligjore. Shpallja e konkursit me pozitat përkatëse nuk është bërë në bazë të një analize paraprake, por për qëllime dhe kalkulime politike e nepotiste. Me qindra mësimdhënës të cilët kanë aplikuar për vende pune janë keqtrajtuar duke pritur në ankth me ditë të tëra pa marrë as më të voglin informacion për vendin, kohën dhe mënyrën e intervistimit. Ata janë thirrur në intervistë vetëm pak orë para se të intervistohen, thotë kumtesa nga Vetëvendosjes që vjen nga Malisheva.
Procesi i intervistimit të mësimdhënësve ka qenë skandaloz, paneli intervistues përveç se nuk ka qenë profesional ai edhe nuk ka hartuar lista me pyetje siç e parasheh ligji, nuk e ka bërë vlerësimin e mësimdhënësve sipas kritereve të parapara, në shumicën e rasteve pyetjet kanë qenë të karakterit politik dhe provokativ ku të intervistuarve iu janë bërë kushtëzime që nëse dëshirojnë një vend pune duhet të sigurojnë që do të votojnë me familjet e tyre PDK.