E Diel, 1 Nëntor 2026

PSHDK: Pa drejtësi dhe sundim të ligjit, nuk ka prosperim për Kosovën

Kosova ndodhet para një sfide shumë serioze këtë vjeshtë, që janë mbajtja e zgjedhjeve lokale në tërë territorin e Kosovës. Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), konsideron se ky është një hap pozitiv që duhet vlerësuar. Mirëpo, ky fakt nuk mjafton që këto zgjedhje të quhen historike. Sipas PSHDK-së, Kosova ka nevojë të organizojë dhe të mbajë zgjedhje të lira e demokratike në të gjithë territorin e Kosovës, zgjedhje këto që duhet të prodhojnë institucione legjitime dhe stabile.

“Ne gjykojmë se shtetit të së drejtës i paraprinë mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe sipas standardeve demokratike. Nuk mund të ketë shtet ligjor, prosperitet dhe zhvillim ekonomik në një vend ku abuzohet me vullnetin e qytetarëve”.

PSHDK-ja kërkon nga të gjitha institucionet e vendit, që të punohet maksimalisht në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe eliminimin e gjitha mundësive për abuzime dhe vjedhje.

“Partitë politike, duhet të vënë interesin Kosovës, para interesit të ngushtë partiak. Vetëm kështu vejmë themele të sigurta për shtetin tonë. Pikërisht për këtë, ne jemi të bindur se drejtësia vjen nëpërmjet ndëshkimit të abuzuesve të ligjit, atyre që janë të zhytur nëpër afera korruptive dhe të gjithë atyre që e konsiderojnë vetën mbi ligjin. Institucionet e Kosovës, me fjalë dhe retorikë, e kanë shpallur një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, mirëpo në praktikë këto vite të fundit nuk është bërë asgjë serioze”, konsideron PSHDK-ja.

Kjo parti pretendon se, shteti i barabartë dhe i bazuar në drejtësi, ndërtohet vetëm nëpërmjet një pushteti legjitim, që vjen nga vota reale dhe jo nga vjedhjet industriale.

“Vetëm kur të organizojmë dhe të mbajmë zgjedhje të lira, mund të presim nga pushteti në Kosovë që të luftojnë korrupsionin, abuzimet me pushtetin dhe format e tjera të informalitetit, që e dëmtojnë rënd shtetin tonë dhe imazhin e Republikës së Kosovës para komunitetit ndërkombëtar”.

Për PSHDK-në çështje shumë e rëndësishme është funksionimi i plotë dhe i barabartë i ligjit në Kosovë dhe atë në të gjitha pjesët e Kosovës. Ky është një kusht i domosdoshëm, që vendi të hyjë në një proces normaliteti. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›