Tahiri: Plani zhvillimor i Prishtinës, jo serioz dhe i pa zbatueshëm

Aleanca për Prishtinën, në vazhdën e analizës së punës dhe përformaces së qeverisjes komunale me Prishtinën, këto ditë ka trajtuar hollësisht dokumentet themelore të zhvillimit afatgjatë të Kryeqytetit. Me këtë rast grupi i ekspertëve ka analizuar Planin Zhvillimor Komunal (PZhK), ku nga të gjeturat konstatohet se ky plan zhvillimor ka defekte serioze të cilat ne besojmë se duhet të adresohen në sa më shpejtë.
Aleanca për Prishtinën më saktësisht zyra e analizës ka shqyrtuar në mënyrë kritike dhe përmbajtjesore Planin Zhvillimor Komunal (PZhK) 2013–2022+, ku përpos se janë identifikuar problemet bazike në përpilim, trajtim të çështjeve është parë qartazi se ky dokument ironizon me kryeqytetin, vlerat dhe mbi të gjitha me pritjen e qytetarëve për një qeverisje që garanton zhvillim.
Aleanca për Prishtinën ende beson se ky plan nuk është parë nga Ekzekutivi Komunal përkatësisht nga Kryetari i Komunës, ose kabineti tij. Ky plan ka papërcaktueshmëri kohore, mungesë të planifikimit dhe implikimeve buxhetore, të dhëna të gabuara cilësore dhe sasiore, krahasime të gabuara dhe jologjike, fjali apo paragrafë të pakuptimtë. Plani Zhvillimor Komunal (PZhK), nuk analizon aspektet e ndërvarshmërisë që është elementi bazë në realizimin e politikave publike, nuk e paraqet në asnjë pjesë të tijën as qarkun më të thjeshtë për zhvillimin e një politike publike dhe si i tillë nuk bazohet në analizë, planifikim dhe vlerësim.
Andaj Aleanca për Prishtinën në mënyrë publike ju bënë thirrje institucioneve komunale, që dokumente të tilla që ulin në mënyrë të vazhdueshme kredencialet dhe vlerat e kryeqytetit të largohen nga faqja zyrtare e Komunës dhe të mos miratohen si të tilla, po ashtu duhet të ndërmerren masa të shpejta për të sanuar dëmin që ka mundur të shkaktoj ky dokument për të gjithë partnerët, investitorët potencial e mbi të gjitha në atë që ndërlidhet me prezantimin në aspektin rajonal e më gjerë të Prishtinës si kryeqytet. /Indeksonline/