Përmirësohet infrastruktura në Bajçinë të Podujevës
.jpg)
Në kuadër të investimeve kapitale në infrastrukturë dhe ambient në komunën e Podujevës, në lagjen Çitaku në Bajçinë këto ditë ka filluar ndërtimi i rrjetit të kanalizimit fekal, pastrimi dhe zgjerimi i shtratit të lumit dhe ndërtimi i murit mbrojtës përgjatë lumit.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi tha se kjo lagje vazhdimisht ka qenë e atakuar nga vërshimet e lumit, si pasojë e shtratit të ngushtuar dhe të parregulluar të lumit që rrjedh nga Dobratini.
“Edhe me Planin e Vlerësimit të Emergjencave në Komunë ky lokalitet është vlerësuar si një pikë e rrezikuar përherë nga vërshimet. Andaj realizimi i këtij projekti, ku është paraparë ndërtimi i murit mbrojtës në një gjatësi prej 380 metra, pastrimi dhe zgjerimi i shtratit të lumit do të mënjanojë rrezikun nga vërshimet”, tha drejtori Muçiqi.
Realizmit efikas të këtij projekti po i kontribuojnë edhe banorët e lagjes, të cilët janë treguar bashkëpunues duke larguar rrethojat dhe duke liruar pronat private me qëllim të ndërtimit rrjetit të kanalizimit dhe murit mbrojtës të lumit.
Ndërsa, kanalizimi i kësaj lagjeje do të kyçet në rrjetin ekzistues të fshatit, i ndërtuar dy vite më parë.
Projekti në vlerë prej 42 mijë euro po realizohet nga buxheti i Komunës së Podujevës, kurse punët është duke i kryer Kompania “Apollonia”. /Indeksonline/