Tahiri i përgjigjet Stefanoviçit: Marrëveshjet, të detyrueshme

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, i është kundërpërgjigjur ish-shefit të ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviçit lidhur me zbatueshmërinë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë dialogut teknik.
Në një prononcim për medait ajo ka thënë se këto marrëveshje janë të detyrueshme për të dyja shtetet. Sipas Tahirit, këtë e di edhe ish-homologu i saj, Stefanoviç.
Shefja e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, ka bërë me dije se Brukseli tani ka filluar të bëjë presion ndaj Beogradit.
Ndërkohë më herët, ish- kreu i ekipit negociator serb Borisllav Stafanoviç theksoi se qeveria serbe nuk është e detyruar që të zbatojë marrëveshjet e arritura me Prishtinën.
“Ne nuk kemi nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, sepse marrëveshjet e tilla do të duhej të nënshkruheshin dhe do të ishin subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në këtë rast mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu ato marrëveshje, do të duhej të miratoheshin në Kuvendin e Serbisë”, ka thënë Stefanoviç.