E Diel, 1 Nëntor 2026

Vulin: Marrëveshjet me Prishtinën do të zbatohen

Zyrtarët në Beograd vazhdojnë të japin deklarata kundërthënëse në lidhje me marrëveshjet e arritura me Kosovën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka deklaruar se marrëveshjet në fjalë do të zbatohen.

Ai ka vlerësuar se qeveria e kaluar serbe nuk ka pasur për qëllim që të përmbushë marrëveshjet, por, që sërish të mashtrojë serbët dhe botën dhe të mbetet në pushtet.

“Serbia është shtet serioz dhe duhet t`i respektojë ato që janë nënshkruar me Prishtinën”, ka thënë Vulin për gazetën “Novosti”.

Në bisedimet në Bruksel janë arritur shtatë marrëveshje, zbatimi i disa prej të cilave ka ngecur.

Një ditë më parë, ish shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviç tha se qeveria e Serbisë nuk është e detyruar që të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Vulin duke komentuar këtë, ka thënë se “përse pra i kanë nënshkruar dhe përse kanë biseduar, nëse sipas tyre çfarë është nënshkruar në Bruksel, nuk ka domethënie?”

Zyrtarët serbë të përzgjedhur për ekipin e ardhshëm negociator me Kosovën, kanë lënë të kuptohet se marrëveshjet do të zbatohen, por do të synojnë ndryrshimin e disa pjesë të cilat ata I cilësojnë si të kontestueshme.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›