E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofrohet shpërblim për kokën e regjisorit të filmit anti-islamik

Një zëdhënës i qeverisë pakistaneze dënoi shpërblimin prej 100 mijë dollarësh, të ofruar nga një ministër i kabinetit për kokën e regjisorit të filmit anti-islamik.

Zëdhënësi Shafqat Jalil deklaroi se qeveria "distancohej tërësisht" nga qëndrimi i "vajtueshëm" i ministrit të Hekurudhave, Ghulam Ahmad Bilour.

Filmi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohet si fyes ndaj Profetit Muhamed dhe vetë myslimanizmit.

Si rrjedhojë, ai ka ndezur një valë protestash në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Afrikën Veriore, të cilat i kanë kushtuar jetën dhjetëra besimtarëve dhe ambasadorit amerikan në Libi, të vrarë më parë gjatë shtatorit pas një sulmi në konsullatën e Bengazit.

Në një deklarim publik, ministri i Hekurudhave deklaroi: "Do të shpërblej me 100 mijë dollarë këdo që vret regjisorin e atij filmi dhe nëse dikush do të bëjë ndonjë material të tillë në të ardhmen, do t’i ofroj përsëri të njëjti shpërblim. Liria e shprehjes nuk mund të përfshijë ofendimin e Profetit. Nëse kjo do të ndodhë, e ardhmja do të jetë tepër e rrezikshme për të gjithë".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›