E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria nis fushatën te pika e dobët e PD-së, ish-pronarët

Gazeta Shqip

Zëdhënësja

Mëhilli: Privatizimi i oborreve, një sukses

Qeveria, në një kohë kur vendin e ndajnë vetëm 10 muaj nga zgjedhjet e ardhshme duket se do të investohet fort te çështja e pronave. Kjo u pa qartë dje kur zëdhënësja e Kryeministrit Berisha doli në një konferencë të posaçme për shtyp për të theksuar faktin se Kryeministri Berisha kishte firmosur një vendim për kalimin e oborreve në pronësi të përdoruese, kur vetëm pak ditë më parë ky vendim u miratua nga Këshilli i Ministrave. Sipas zëdhënëses së Berishës, Erla Mëhili, ky vendim i jepte një dimension të ri çështjes së pronës në vend dhe për këtë arsye nisma ishte një hap i madh përpara. Me këtë vendim, qeveria shqiptare i jep fund absurdit që e ka zanafillën në vitet e errëta të diktaturës, ku liritë dhe të drejtat mbi pronën private dhe individuale, mohoheshin krejtësisht, dhe i hapet rruga e pronësisë së plotë mbi pronën e tyre dhjetëra mijëra familjeve shqiptare. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i procedurës së kalimit në pronësi të sipërfaqeve për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të cilët  kanë  të shënuar në dokumentet e pronësisë  së tyre cilësimin oborr në përdorim, deklaroi Mëhili, duke shtuar se dhe procedura për përmbylljen e kësaj nisme do të ishte shumë e shpejtë dhe jo burokratike. Sipas Mëhillit, autoriteti shtetëror i ngarkuar për kalimin e pronësisë së oborreve në përdorim në bazë të këtij vendimi është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila do të realizojë procesin në afate të shkurtuara dhe vetëm në një zyrë. AKKP-ja, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe e dokumentacionit nga kërkuesi, jep konfirmimin pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të kryer regjistrimin e pronës. Për kalimin e pronësisë, qytetarit i duhet thjesht të paraqesë pranë AKKP-së kërkesë-formularin, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës rekomande, shpjegoi zëdhënësja e Kryeministrit për sa i përket procedurës që do të ndiqet. Sipas Mëhillit, ky vendim do të prekë shumë familje shqiptare dhe pritet të ketë një impakt tepër pozitiv. Ky vendim është shumë i rëndësishëm për dhjetëra mijëra familje, pasuritë e të cilëve do të zotërohen përfundimisht prej tyre. Në këtë mënyrë qytetarët shqiptarë do të fitojnë të drejtën e mohuar deri më sot për të zhvilluar pronat që i trashëgonin, u takonin ose u përkisnin, theksoi Mëhilli. Ky aksion i ri i qeverisë për sa u përket çështjeve të pronave, vjen pas një bilanci jo të mirë për sa i përket kthimit dhe kompensimit. Kjo mangësi është shoqëruar dhe nga akuzat e ish-pronarëve se qeveria nuk po merr asnjë masë për sa i përket vendosjes së të drejtave të pronarëve. Po kështu ish-pronarët kanë shfaqur shumë kundërshti për sa i përket procesit të legalizimeve i cili ka rinisur nga e para, por duke kompensuar një pjesë shumë të vogël të fondit për kthimin e pronave.

FRD - Afrimi që Fryma e Re Demokratike po i bënë shtresës së pronarëve e ka nxitur qeverinë për të marrë nisma të reja.

Akuzat - Ish-pronarët kanë shprehur pakënaqësi të shumta për rinisjen e procesit të legalizimeve në një kohë kur kompensimi financiar është i vogël.

KiE - Vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të pronarëve shqiptarë e kanë vendosur në vështirësi buxhetin e shtetit.

Qeveria nis fushatën te pika e dobët e PD-së, ish-pronarët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›