Tahiri shpreson në mbështetjen e Reeker'it
Tahiri shpreson se ardhja e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Philip Reeker sot në Kosovë, do të rikonfirmoj edhe një herë mbështetjen e SHBA-së për vendin tonë.
Qysh në fillim të vitit zëvendëskryeministrja dhe njëherësh kryenegociatorja Edita Tahiri tha se dialogu mund të fillojë nga mesi i janarit, por data për takim ende nuk është caktuar. Pala kosovare është e gatshme për vazhdim të dialogut, por është pala serbe, ajo e cila kërkon ende kohë.
Edita Tahiri thotë për Kosovapress se nuk ka bllokadë të dialogut dhe se ndërmjetësi Robert Cooper është duke u angazhuar për caktimin e një date për raundin e nëntë të dialogut.
“Tash për tash nuk ka ndonjë bllokadë, takimet janë mbajtur çdo muaj, çdo dy javë dhe takimi i fundit ka qenë në dhjetor dhe tash jemi fillim të janarit dhe nuk do të kisha thënë se ka bllokim në dialog, por ka përgatitje për raundin e ardhshëm. Sipas bisedave që kam pas me zotëri Cooperin kemi qenë të pajtimit në mesin e janarit, mirëpo kam lexuar deklaratat e përfaqësuesit të Serbisë, i cili thotë se Serbia ka nevojë për kohë nuk është e gatshme dhe arsyeja e mos gatishmërisë së Serbisë sidomos për çështje të bashkëpunimit rajonal tashmë dihet”, ka thënë Tahiri.
Pala serbe insiston në zbatimin e Rezolutës 1244 dhe në prezencën e UNMIK-ut, por sipas Tahirit tashmë Kosova ka dhënë qëndrimin e prerë në refuzimin e këtyre propozimeve, sepse është shtet i pavarur e sovran.
Ndërkohë për sot është paralajmëruar se në Kosovë do të vijë për një vizitë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk e përjashton mundësinë që me diplomatin amerikan të diskutohet edhe lidhur me dialogun, ndërsa shfaqi besimin se edhe kësaj radhe do të rikonfirmohet mbështetja e SHBA-së për Kosovës.
“Vizita e zotëri Reeker si qeveritar i nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit është për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe SHBA-së, si aleatë. Por, unë nuk përjashtoj se do të bisedojmë edhe për shtyrjen përpara të procesit të dialogut dhe të zgjidhjeve, ndërsa për sa i takon presionit SHBA-së, jo vetëm që ndër të parat e ka njohur shtetin e pavarur të Kosovës, por SHBA-ja është pjesë e pavarësisë dhe lirisë të vendit tonë dhe popullit tonë”, ka theksuar Tahiri.
Zv.sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker gjatë vizitës në Kosovë, pritet të takohet me liderët institucional dhe të informohet më për së afërmi me zhvillimet në vend.
Edhe në këtë rast, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh kryenegociatorja Edita Tahiri tha se Prishtina si diplomatit amerikan Philip Reeker, ashtu edhe atyre në Bruksel po u raporton lidhur me pengesat që po i bën Serbia në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në tetë raunde të dialogut.
Philip Reeker sot në Kosovë
Diplomati amerikan, Philip Reeker do të vijë sot në Kosovë.
Pasdite ai pritet të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, me të cilin do të bisedojë për gjendjen e fundit në vend dhe për dialogun teknik mes Prishtinës dhe Beogradit.
Burime të Express thonë se diplomati amerikan pritet të përçojë mesazhe të rëndësishme, sidomos për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më 14 janar organizoi protestë për vendosje të plotë të reciprocitetit me Serbinë.
Philip Reeker mban pozitë të lartë në Departamentin amerikan të Shtetit dhe njëherësh është përfaqësues i SHBA’së në dialogun teknik Prishtinë-Beograd që po zhvillohet në kryeqytetin europian, Bruksel.