Flasim për viza

Autoritetet ndërkombëtare kanë rikonfirmuar fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ky dialog pritet të fillojë pikërisht më 19 janar të këtij viti, kur Kosovën do ta vizitojë Komisarja për Çështje të Brendshme të BE’së, Cecilia Malmstrom.
Analistja e Iniciativës Europiane për Stabilitet, Verena Knaus ka thënë për Radio Europën e Lirë se tani është koha më e përshtatshme për fillimin e dialogut.
“Tani mendoj se është koha e duhur për fillimin e këtij dialogu dhe shpresoj se në fund të këtij muaji, dialogu për liberalizim të vizave po fillon”, ka thënë Knaus.
Ndërkohë që ka theksuar se procesi pritet të jetë i gjatë.
“Ky është vetëm fillimi, është një proces i gjatë, i cili do të marrë kohë, por sa më herët që fillon, aq më mirë”, shtoi ajo.
Analistja Knaus, ndër të tjera i ka bëtë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë më shumë zhurmë sa i përket çështjes së zhvillimit ekonomik dhe ngritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve, në mënyrë që Kosova të përfitojë sa më shpejt liberalizimin e vizave.
“Qeveria e shoqëria civile në Kosovë duhet të kenë diskutime të sinqerta rreth mundësive që mund të ndodhin për azilkërkim, abuzim me imigrim ilegal, dhe duhet të adresojnë se pse njerëzit duan të largohen nga Kosova”, ka thënë Knaus.
Sipas saj, kjo do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe hapjen e mundësive për punësim, gjë e cila lidhet ngushtë me çështjen e liberalizimit të vizave.
Ndërkohë, Komisarja evropiane, Cecilia Malmstrom pritet të qëndrojë deri më 20 janar në Prishtinë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka bërë të ditur për Express se gjatë kësaj kohe do të diskutohet për kushtet të cilat Kosova duhet t’i plotësojë për ta marrë udhërrëfyesin nga BE’ja.
“Po njëherë do të diskutohet rreth kushteve të cilat duhet plotësuar deri në marrjen e udhërrëfyesit, do të caktohen katër pikat, të cilat do t’i vërë BE’ja për ne”, ka thënë Rexhepi.
Ai është shprehur optimist se deri në fund të këtij viti, Kosova do ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
“Kjo është ajo çka presim nga ky dialog dhe jemi shumë optimistë se deri në fund të këtij viti do ta gëzojmë atë të drejtë”, ka thënë Ministri Rexhepi, pa dhënë ndonjë datë konkrete se kur Kosova do të mund ta marrë udhërrëfyesin.
Sipas tij, gjithçka varet prej procesit të dialogut, i cili do të zhvillohet me BE’në.
“Jo s’mund ta them tash, ngase gjithçka varet prej dialogut, por mund të them se kushtet ekzistojnë dhe po e përsëris, jemi optimistë se deri në fund të këtij viti do të marrim edhe udhërrëfyesin, për këtë nuk kam kurrfarë dyshimi”, ka thënë Ministri Rexhepi.
Ai ka thënë se Kosova deri më tani i ka plotësuar të gjitha kushtet për të filluar dialogun dhe kështu thotë se do të vazhdohet edhe më tej deri në marrjen e udhërrëfyesit.
Ndryshe, vitin e kaluar, Shqipëria kishte fituar të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza.
Pas kësaj, Kosova ka mbetur si shteti i vetëm në Europë nën regjimin e vizave.