E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në institucione, jo në rrugë

Isa Mustafa tha se zgjidhjet duhet të gjenden në institucione, e jo në rrugë. Lideri i LDK’së pohoi se nuk është mirë për vendin që të përsëriten skenat që u panë të shtunën në protestën e Vetëvendosjes.

Partitë politike kanë komentuar në mënyra të ndryshme protestën e Lëvizjes Vetëvendosje të ditës së shtunë.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur edhe një herë kundër nismës së Vetëvendosjes, e cila të shtunën tentoi t’i bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë, me ç’rast u lënduan qytetarë e policë si dhe u arrestuan më shumë se njëqind aktivistë.

“Nuk shohim arsye që gjërat që mund të zgjidhen në mënyrë institucionale, të barten në rrugë, përkundër asaj që është e drejtë e çdo subjekti të protestojë apo të shprehë mospajtimin apo vullnetin edhe në forma të tjera, por ne jemi për atë që këto gjëra të zgjidhen përmes institucioneve”, ka thënë Mustafa, në një tubim partiak në Vushtrri.

Ai e ka përkrahur të drejtën për protestë, por ka thënë se për LDK’në të gjitha kërkesat që kanë kaluar përmes Kuvendit të Kosovës, duhet të realizohen në mënyrë institucionale dhe se përgjigjen nga Qeveria duhet kërkuar brenda Parlamentit.

Udhëheqësi i LDK’së dhe i Prishtinës është përmbajtur nga cilësimet se kush ishte i pari që provokoi dhunën në Merdar dhe në Dheun e Bardhë. Por, ka kërkuar që mocioni i Kuvendit për reciprocitet me Serbinë të zbatohet në tërësi.

“Nuk ka lënë dukje të mirë çfarë kemi parë në terren, por natyrisht gjithmonë duhet të kemi parasysh se në qoftë se gjërat dalin jashtë institucioneve, mund të pritet se do të kemi probleme, të cilat më nuk dëshirojmë t’i shohim nëpër rrugët tona dhe në ekranet tona. Vendimi i Kuvendit të Kosovës për reciprocitet duhet të zbatohet dhe për këtë duhet të raportojnë në një seancë edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës se në çfarë shkalle është bërë implementimi”, ka thënë ai.

Kundër përdorimit të dhunës dhe bllokimit të rrugëve kanë dalë edhe AAK’ja e AKR’ja, kurse PDK’ja ka bërë fajtore Vetëvendosjen për dhunën që është shkaktuar të shtunën, kur protestuesit u përleshën me policinë.

LDK’ja dhe AAK’ja kanë kërkuar nga Qeveria që përpos zhbllokimit të rrugëve në Merdar e në Dhe të Bardhë, të mundësojë lëvizjen e lirë edhe në Veri të Kosovës.

Ndryshe prej partive parlamentare, Lëvizja Popullore e Kosovës e ka kualifikuar protestën e Vetëvendosjes si të qetë, kurse reagimin e policisë e kanë krahasuar me reagimin e ish-regjimit serb.

“Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke e bërë Kosovën shtet policor. Skena të tilla të përdorimit të dhunës, gazit lotsjellës, topave të ujit si dhe sharjeve e fyerjeve të rënda, për fat të keq, na e rikujtojnë të kaluarën e hidhur dhe përpjekjen e popullit tonë kundër pushtuesit shekullor serb. Nuk mund ta besojmë se kjo dhunë u urdhërua e u ushtrua nga të ashtuquajturit ish-udhëheqës dhe ish-pjesëtarë të UÇK’së, të cilëve u janë verbuar sytë nga pushteti”, thuhet në reagimin e LPK’së.

Sikurse në ditën e protestës, as të dielën, Presidentja e Kosovës nuk ka thënë asnjë fjalë për protestën e Vetëvendosjes, e cila rezultoi me dhunë, rrahje dhe arrestime të qindra aktivistëve. Duket se Presidentes i ka mjaftuar thirrja e ditës së premte se nuk duhet të bllokohen rrugët e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të paralajmërojë se do të vazhdojë protestën dhe t`i bllokojë pikat kufitare me Serbinë, në përpjekje për të shtyrë Qeverinë për zbatimin e mocionit të reciprocitetit me Serbinë.

Por, bllokimi i rrugëve nga Vetëvendosja është kundërshtuar nga Qeveria, e cila bashkë me shumicën e bashkësisë ndërkombëtare kanë cilësuar veprimet e Albin Kurtit të dëmshme për Kosovën.

Edhe mbikëqyrësi i pavarësisë së Kosovës, Pieter Feith ka shprehur keqardhje për dhunën dhe i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të mos përdorë bllokimin e rrugëve për qëllime politike. I ka këshilluar të përdorin institucionet për të kundërshtuar politikat e Qeverisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›