Tahiri udhëtoi për Bruksel

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka udhëtuar sot për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e gjashtë të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kësaj radhe Tahiri ka marrë me vete një grup prej më shumë se 10 persona, të cilët vijnë prej fushave që do të shtrohen për diskutim.
Në agjendë për takimin e 2 shtatorit, do të jenë pesë çështje, si njohja e vulave të doganave të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kadastrat dhe bashkëpunimin rajonal.
Gjithashtu, në këtë raund të dialogut teknik do të analizohet dhe do të intensifikohet puna e grupeve për implementimin e tri marrëveshjeve të arritura më parë.
Dihet se kjo agjendë ishte paraparë për takimin e 20 dhe 21 korrikut 2011, raund ky i cili dështoi me fajin e palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të doganave të Kosovës.
Ndërkaq për katër çështjet e para, bisedimet janë në nivelin e diskutimit të draft-marrëveshjeve, të prezantuara nga ndërmjetësi i BE-së, të cilat kanë për bazë draftet e 6 qershorit 2011 dhe komentet e palëve.
Ndërsa çështja e bashkëpunimit rajonal shtrohet për herë të parë, përveç temës së CEFTA-s, e cila është diskutuar në raundin e parë.
Në Delegacionin Kosovës të prirë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri janë edhe Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i zëvendëskryeministres Tahiri, Elona Cecelia - këshilltare politike e zëvendëskryeministres Tahiri, Florent Bakija - përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ali Hamiti - kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Fadil Ismajli - drejtor i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, Arben Gjukaj - drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, Ekrem Hoxha - drejtor i bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Naim Huruglica - drejtor i Doganave të Kosovës dhe Murat Meha - kryeshef i Agjencisë Kadastrale.