Tajlandë, arrestohet bankieri i mafias

Një bankier italian, i dënuar në mungesë për lidhjet e tij me mafian, u arrestua të dielën në Tajlandë, lajmëruan autoritetet e vendit aziatik.
Vito Palazzolo, 64 vjeç, është shpallur fajtor dhe dënuar me nëntë vjet heqje lirie për pastrim parash për llogari të mafias siçiliane të “Cosa Nostras”.
Ai ishte i përfshirë në rrjetin famëkeq “Lidhja e Picës”, një operacion mafioz që mundësonte eksportin e drogës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1970-80 dhe përdorte disa piceri për të mbuluar gjurmët.
Palazzolo gjithmonë i ka mohuar akuzat dhe u shpreh se do të luftojë kundër ekstradimit. Për vite me radhë, ai i shpëtoi përballjes me ligjin duke jetuar në Afrikën e Jugut, ku autoritetet refuzonin arrestimin për llogari të drejtësisë italiane.
Palazzolo konsiderohet fajtor për pastrimin e dhjetëra milionë eurove për mafian, ndërsa punonte si bankier në Zvicër. Ai ka pranuar akuzën e riciklimit, por është shprehur se ka vepruar nën kërcënim.