Tajlandë,aeroporti mbyllet edhe 48 orë
Aeroporti Suvarnabhumi i Bangkokut do të qëndrojë i mbyllur për fluturime edhe për të paktën 48 orët e ardhshme. Lajmin është bërë i ditur nga drejtori i aeroportit Saererat Prasutanont. Manifestuesit antiqeveritare vazhdojnë të mbajnë të pushtuar terminalin, pavarësisht apeleve të diplomacisë ndërkombëtare. Mijëra njerëz kanë mbetur në pritje, si pasojë e protestës së forcave opozitare. Ndërkohë që sipas dëshmitarëve, qindra protestues anti-qeveritarë kanë detyruar dhjetëra policë të largoheshin nga një postbllok. Afërsisht 2 000 përkrahës të Aleancës së Popullit për Demokraci kanë detyruar rreth 150 policë të sprapseshin një kilometër në veri të aeroportit Suvarnabhumi, megjithatë incidenti nuk është shoqëruar me akte të dhunshme. Teksa kryeministri i vendit Somchai Wongsawat ka pushuar nga puna shefin e policisë kombëtare, për shkak se i ka vlerësuar si pak efikase aksionet e tij ndaj protestuesve. "Mos u shqetësoni, forcat e sigurisë do të përdorin metoda paqësore. Nuk synojmë të dëmtojmë askënd. Jemi të gjithë tajlandezë, kështu që do të negociojmë dhe do të bëjmë të pamundurën në zgjidhjen e krizës", është shprehur Wongsawat.