Tajvani blen edhe 20 helikopterë

Tajvani do të blejë deri në 20 helikopterë nga një kompani evropiane, njoftuan autoritete tajvaneze, të premten. Kjo gjë, me gjasë, vetëm sa do të nxisë reagime të ashpra të Kinës, pas paralajmërimit të para disa ditëve nga ana e SHBA-së se Tajvanit do t’i shesin armatim në vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh.
Tajpei, 5 shkurt – Marrëveshja e Tajvanit me kompaninë evropiane Eurocopter, një degë kjo e kompanisë gjermane EADS, do të mund të përkeqësojë marrëdhëniet e Evropës me Kinën, të cilat, sikurse edhe ato të Pekinit me Washingtonin, janë mjaft të tensionuara për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën si pasojë e tregtimit dhe vlerës së valutës kineze.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Tajvanit, Metrin Ju, deklaroi se Tajpei do të blejë helikopterë për shpëtim dhe kërkim të tipit EC-223, njoftoi agjencia Reuters.
Helikopterët e Eurocopter mund të shfrytëzohen për misione të shpëtimit gjatë natës ose në det, të shkaktuara nga fatkeqësitë ushtarake ose civile, theksoi një burim ushtarak.
Ndërkohë, sipas gazetës “Defense News”, marrëveshja me vlerë 11 milionë dollarësh do të nënshkruhet gjatë ditëve në vijim.
Shitja e armatimit Tajavnit nga ana e Evropës, të cilën Pekini e konsideron provincë të veten, është në rënie gjatë 17 viteve të fundit, për shkak të ndjeshmërisë politike të kësaj çështjeje. Mirëpo, raportet tregtare ndërmjet BE-së dhe Tajvanit vazhdojnë të jenë të mira.
Paralajmërimin e Washingtonit se do t’i shesë Tajvanit armatim me vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh, Pekini e vlerësoi si një lëvizje që do të rrezikojë sigurinë kombëtare të Kinës dhe do të prishë marrëdhëniet amerikano-kineze.