Franca dhe Gjermania, me strategji të përbashkët

Në Palais de l' Elysées në Paris, presidenti francez, Nicolas Sarkozy dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, njoftuan dje se shumë shpejt do të prezantojnë një strategji të përbashkët ekonomiko-politike për vitin 2020.
Pritet që Nicolas Sakozy dhe Angela Merkel ta publikojnë së shpejti strategjinë e tyre ekonomike dhe politike. Do të jetë ky një dokument i quajtur “Agjenda Franko-Gjermane 2020”, e cila do të synojë që të bëjë më të dukshëm partneritetin e shumëproklamuar, por edhe problematik të vendeve të Bashkimit Evropian.
Plani përmban 80 masa të veçanta, të cilat variojnë që nga çështjet ekonomike dhe iniciativat fiskale, e deri te tentativa për një unifikim të teksteve shkollore dhe të rregullave më të thjeshta që ndërlidhen me martesat e përziera franko-gjermane. Drafti i Agjendës pritet të publikohet në fund të këshillit të përbashkët ministror, ndërmjet dy vendeve, i cili do të drejtohet nga presidenti Sarkozy dhe kancelarja Merkel, gjithashtu në Palas de l’Elysees.
Dy liderët kanë pasur mosmarrëveshje në të kaluarën, rreth disa çështjeve dhe masave, që ndërlidheshin me rimëkëmbjen ekonomike. Kjo ngase Sarkozy e mbështeste një pako të gjerë të stimulimit ekonomik, kurse Merkel besonte se rimëkëmbja ekonomike duhej bërë në nivel kombëtar dhe sipas specifikave të dy ekonomive përkatëse.
Sido që të jetë, takimi i tyre të së enjtes mbrëma, njëkohësisht shënoi edhe 100 ditët e para të mandatit të dytë të Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë, si dhe udhëtimin e saj të parë jashtë vendit gjatë mandatit të ri. Nëpërmjet këtij udhëtimi, Merkel synon të tregojë se partneriteti ndërmjet Gjermanisë dhe Francës është sërish në rendin e saj të ditës dhe se ai do të vazhdojë.
“Ne duam që në vitet e ardhshme të shohim se si mund të ndërmarrim iniciativa të përbashkëta në lidhje me çështje të rëndësishme”, ka deklaruar kancelarja Merkel.
Ideja e organizimit të një sesioni ndërministror me dy kabinetet qeveritare është ide e të dy palëve. Sarkozy, nga ana e tij, ka vënë tashmë në dispozicion të këtij takimi dhomën e famshme Murat, që është e njëjta dhomë në të cilën mblidhen ministrat e kabinetit të tij për çdo të hënë.
Vetë plani franko-gjerman përfshinë 5 tema, e në mesin e tyre ndër më të rëndësishmet mund të përmenden politika fiskale dhe ajo ekonomike. Pritet që shumë shpejt të organizohet edhe një organ i përbashkët i mbikëqyrjes së politikave ekonomike. Agjenda ndërkaq, për sa i përket arsimit, parashikon dyfishimin edhe e numrit të kolegjeve dhe të gradave të doktoraturës nëpër universitetet franko-gjermane. (Nga agjencitë)