Për një nga 17–shja e Kushtetueses
Ndryshe nga të gjitha vendimet gjyqësore të organeve të juridiksionit të zakonshëm, ato të Gjykatës Kushtetuese regjistrohen dhe mbahen mend saktësisht prej një kategorie jo të vogël funksionarësh të shtetit. Jo vetëm sepse këto të fundit janë relativisht të kufizuara në numër, as vetëm sepse në shumicën e tyre, së paku një palë identifikohet me organet e administratës publike dhe të pushtetit shtetëror, por edhe për faktin që nëpërmjet tyre, Gjykata Kushtetuese, si organ i rishikimit kushtetues, pezullon efektet e akteve juridike, shfuqizon ose lë në fuqi dispozita të veçanta apo tërësinë e akteve juridike të nivelit të lartë, si: ligje, marrëveshje bilaterale apo multilaterale, vendime të Këshillit të Ministrave etj, zbatimi i të cilave përfshin ose do të përfshinte në një rreze të gjerë, rregullimin kështu apo ashtu të marrëdhënieve shoqërore të caktuara.Ndoshta, prandaj këto ditë të ngjeshura me debate politike dhe mediatike të ndryshme, pothuajse në çdo rast përmendet numri i saktë i atyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që brenda pak më shumë se katër viteve të fundit, të cilat korrespondojnë me periudhën e dy mandateve qeverisëse të së djathtës shqiptare, kanë shfuqizuar deri tani plot 17 akte të rëndësishme të hartuara nga Qeveria dhe të miratuara prej maxhorancës parlamentare, duke i konsideruar ato, pjesërisht apo përgjithësisht të papajtueshme me dispozitat ose me frymën e Kushtetutës sonë dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.Duke qenë të tilla, përfundimtare dhe me fuqi të përgjithshme (erga omnes – lat.) kuptohet që përherë, kur kjo Gjykatë anulon një normë juridike konkrete, si rregull të gjitha autoritetet shtetërore duhet të shfuqizojnë normat e tjera të ngjashme, ose të nxjerra mbi atë bazë.***Një nga këto vendime, ose për t’iu përmbajtur edhe titullit të këtij artikulli, një prej 17–shes së Kushtetueses bëri jehonë të menjëhershme gjatë kësaj jave. është fjala për një ligj shqiptar mbi lustracionin, “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore dhe personave të zgjedhur”, apo siç është thirrur rëndom ai, për ‘hapjen e dosjeve’, të cilin Qeveria ia kishte paraqitur Parlamentit dhe ky e pati miratuar me shumicë të thjeshtë votash. Megjithëse, ky ligj parashikonte që t’i shtrinte efektet edhe te institucione kushtetuese, veçmas edhe te persona me mandat kushtetues(?!).Atë kohë, midis pozitës dhe opozitës u ndezën debate të zjarrta, çka u duk që do të fashiteshin disi, vetëm kur kjo e fundit paraqiti një kërkesë ankimore përpara Gjykatës Kushtetuese. Mbase është e tepërt që tani, në këto radhë, të bëjmë një retrospektivë të diskutimeve të ndezura midis të dy krahëve politikë dhe akuzave që i adresonin ata njëri–tjetrit. Sidoqoftë, le të kujtojmë pakëz procedurat që ndoqi me këtë rast organi i rishikimit kushtetues për marrjen e një vendimi përfundimtar, të cilat u panë të detyrueshme, edhe sepse anëtarë të këtij organi mund të përfliteshin për konflikt interesi.Kështu pra, Gjykata Kushtetuese ia dërgoi për sqarime tekstin e ligjit në maj të vitit 2009 Komisionit për Demokraci Nëpërmjet të Drejtës, i njohur ndryshe edhe si Komisioni i Venecias. Kjo OJQ, që qysh prej themelimit të saj në vitet ’90 e ka shtrirë veprimtarinë kryesisht në vendet e Lindjes ish-komuniste, si organ juridik konsultativ i Këshillit të Europës, pas një periudhe të mjaftueshme, brenda katër muajve, pra në shtator të vitit që shkoi, paraqiti një dokument serioz me 163 paragrafë, 18 prej të cilëve përbëjnë konkluzionet e relatuesve dhe të krejt anëtarëve të Komisionit.Në reflektim të pesë pyetjeve për të cilat Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka kërkuar sqarime në trajtimin e vet, Komisioni mori në konsideratë sidomos dy veçori të ligjit për ‘lustracionin’: faktin që ai synohej të adaptohej në Shqipëri afërsisht dy dekada pas rënies së regjimit komunist, si edhe atë që qëllimi dhe shtrirja personale e aplikimit të ligjit të ‘lustracionit’ ishte shumë e gjerë dhe e papërcaktuar, duke lënë pak ose aspak hapësirë për shqyrtimin e rasteve të ndara veç e veç. Midis këtyre profileve, çështja ngrihej në respekt të dy parimeve, pra të legjitimitetit dhe procedurave kushtetuese specifike, që garantojnë statusin e institucioneve kryesore të shtetit.Pa i renditur një më një pyetjet e shtruara prej Gjykatës sonë Kushtetuese, ndoshta ia vlen të ndalemi shkurtimisht te disa përfundime të materialit të paraqitur prej Komisionit të Venecias. Si për shembull, që dispozita e ligjit të ‘Lustracionit’ për përfundimin e mandatit të Presidentit të Republikës, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të atyre të Gjykatës së Lartë, të Prokurorit të Përgjithshëm, deputetëve dhe ministrave, dhunon garancitë kushtetuese për mandatet e tyre, çka bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës.Komisioni i Venecias vërejti, gjithashtu, se ligjit të ‘Lustracionit’, i cili siç theksuam më lart është veçse një Ligj i zakonshëm, nuk mund t’i hapet udhë për interpretim dhe zbatim të thjeshtë, përderisa ka përballë dispozita të Kushtetutës dhe ligjeve organike për funksionimin e institucioneve të përmendura më lart. Lidhur me këto sqarime, del e shpjegueshme edhe që kompetencat e Autoritetit të Kontrollit të Figurës, të parashikuara më ligjin për ‘Lustracionin’, sigurisht që bien ndesh me Kushtetutën dhe principialitetet e shtetit të së Drejtës.Njëherësh, Komisioni i Venecias e vuri theksin edhe te disa elemente, të cilat tregojnë që nëpërmjet zbatimit të ligjit për ‘Lustracionin’, pushteti politik do të pretendonte që të interferohej me të tepërt te e drejta e kandidimit për personat që kërkojnë të zgjidhen, te e drejta e punës dhe te ajo për akses në administratën publike. Pikërisht, nga studimi dhe analiza e dispozitave të ligjit kaq shumë të debatueshëm, Komisioni për Demokraci Nëpërmjet të Drejtës i dha një përgjigje të qartë dhe të prerë edhe pyetjes së shtruar dhe të formuluar pak a shumë kështu: disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për shkak të faktit që janë subjekte potenciale të këtij Ligji, a mund të marrin pjesë në shqyrtimin ligjor dhe kushtetues të tij, për të shmangur konfliktin e interesit?Me të vërtet ia vlen të ndalesh pak edhe te përgjigja e kësaj pyetjeje, sepse ka të bëjë me një çështje konkrete për funksionimin, së paku në këtë rast, të organit të rishikimit kushtetues të Shqipërisë. Sipas opinionit të Komisionit të Venecias, ligjvënësi ynë, konkretisht vetëm një pjesë e tij, pra maxhoranca parlamentare, ka dështuar në vendosjen e detyrimeve, për të parashikuar në një dispozitë organike aftësinë ose jo të Gjykatës që të kontrollojë kushtetutshmërinë e Ligjit, edhe në rastet e pastërtisë të lidhura me një konflikt interesi të disa gjyqtarëve. Dhe, pas një sqarimi të mëtejshëm, Komisioni konstaton se ekziston risku për një vendim të njëanshëm. Kjo do të thotë, shprehet Komisioni, se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri nuk janë të mbrojtur nga vendimi për këtë çështje. The last, but not the least (E fundit, por jo më e pakta) – të shkojnë nëpër mendje fjalët që thuhen në botën demokratike shpesh herë për çështje dhe raste të tilla apo të ngjashme.***Pas dërgimit të këtij Dokumenti të Komisionit të Venecias, dhe mbi këtë bazë argumentesh, marrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese (ndonëse teksti i arsyetuar i këtij vendimi ende nuk është zbardhur apo publikuar), bëhet e qartë që ligji për ‘Lustracionin’, projekti i të cilit iu paraqit Parlamentit prej Qeverisë, nuk mund të lejohet të hyjë në fuqi, sepse cenon haptazi parimet e shtetit të së drejtës dhe bie ndesh po kaq haptazi me kushtetutshmërinë e veprimtarisë së institucioneve të pavarura, sikurse nuk garanton kështu një hetim të paanshëm të figurave të zyrtarëve.Atëherë, përse u dashka sulmuar egërsisht Gjykata Kushtetuese, qoftë edhe verbalisht, nga maxhoranca parlamentare? Themi kështu, sepse para pak ditësh një përfaqësuese e grupit të Partisë Demokratike, Mesila Doda u shpreh me tinguj patetikë në një konferencë shtypi me dekor emblemën e kësaj Partie: “E cilësoj këtë si aktin më të rëndë në mbështetje të krimeve të rënda kundër njerëzimit të sistemit komunist, krime të cilat janë kryer sistematikisht në këtë vend për 50 vjet rresht”.Një deklaratë të tillë mund ta bënte vet Kryeministri, por ja që ai prej disa muajsh për arsye ngushtësisht utilitare dhe personale mban në gojë respektimin e vendimeve gjyqësore, si ai i Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit, duke shpresuar me këtë të zmbrapsë kërkesën e opozitës për transparencën e procesit elektoral, nëpërmjet hapjes së kutive të votimit. Prandaj, me sa kuptohet, nuk është keq të shfrytëzohet gatishmëria e një zonje për të ulëritur e mallkuar kundër opozitës, tek thotë që vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese u dha “edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese”(?). Kështu, mendja të shkon se kjo taktikë ndiqet për të ndërsyer edhe një herë një kategori njerëzish tanë të përndjekur gjatë regjimit komunist, shpërblimin e premtuar të të cilëve Qeveria ka mundur ta realizojë gjatë vitit që shkoi vetëm në masën 16 për qind.Ndoshta kjo zonja Doda u zgjodh edhe për faktin se ajo figuron tani si anëtare rezervë e delegacionit shqiptar pranë Këshillit të Europës, për t’i garantuar ata ish-të përndjekur, madje siç shprehet me mburrje ajo, tërë opinionin publik se, individualisht dhe bashkë me kolegë të tjerë mund të realizojnë një prej opsioneve të tyre, për ta dërguar këtë Ligj në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.Por, çfarë mund të arrihet me këtë veprim, kur Gjykata e Strasburgut është organ garantues i Konventës së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, dhe kur sidomos Protokolli nr. 12 i saj prezanton, krahas të tjerave, idenë që shtetet mund të ndërmarrin veprime pohuese për të nxitur barazinë e plotë dhe efektive të të gjithë njerëzve përpara ligjit, në rrethana të përshtatshme dhe pa cenuar ndalimin kundër diskriminimit? Mos vallë ajo zonjë dhe kolegët e saj kanë ndërmend t’i ‘lënë në derë’ shtetit tonë edhe një tjetër faturë dëmshpërblimi, në një kohë kur deri tani borxhet e jashtme dhe të brendshme të këtij shteti kanë grisur më shumë se gjysmën e xhepit të çdo qytetari?!(GSH/ BalkanWeb)