Takim Rubio-Zelensky në Mynih, sekretari tha se po kërkojnë zgjidhje për t’i dhënë fund luftës

Një sinjal i rëndësishëm diplomatik doli në pah pasi Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Dy zyrtarët biseduan mbi sigurinë e Ukrainës dhe thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ekonomi.
Pas takimit, Sekretari i Shtetit tha se SHBA-të po kërkojnë një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës dhe për të ndaluar gjakderdhjen mes dy vendeve fqinje njëherë e përgjithmonë, një deklaratë që përputhet me qëndrimin e presidentit Donald Trump se lufta Rusi-Ukrainë duhet të përfundojë me negociata.
Megjithatë, pikat kryesore të ngërçit midis Ukrainës dhe Rusisë mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë garancitë e sigurisë dhe çështjet e territorit. “Gjetja e një formule të pranueshme për Ukrainën dhe për Rusinë, – tha Rubio, mbetet sfida kryesore.
Mund të mos funksionojë”- paralajmëroi ai megjithëse theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ushtrojnë presion për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas Presidentit të Ukrainës, bashkë me Rubion trajtuan gjithashtu përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, përfshirë negociatat trepalëshe me ndërmjetësimin e SHBA-së, raundi i ri i të cilave zhvillohet më 17-18 shkurt në Zvicër. Zelenskyy theksoi rëndësinë e mbajtjes së bisedimeve produktive në Gjenevë.
Ndërkohë autoritetet ruse raportuan se porti i Tamanit në Detin e Zi, është dëmtuar nga një sulm me dron ukrainas, duke shkaktur edhe plagosjen e dy personave. Ndërkaq një rezervuar nafte, një depo dhe terminal pësuan dëme në fshatin Volna, zona ku ndodhet edhe porti rus.
/rtsh.al/