Takim brezash në universitetin Luarasi
Dy ditë më parë, universiteti Luarasi themeloi grupimin Luarasi Alumni. Ky grupim është një organizim i studentëve që kanë dalë nga auditorët e universitetit Luarasi që prej 9 vitesh. Në ceremoninë e organizuar enkas për këtë event nuk munguan emocionet mes pedagogësh dhe ish-studentësh, të cilët tashmë janë duke vënë në jetë atë që kanë ëndërruar në bankat e shkollës. Eventi filloi me një përshëndetje të themeluesit të këtij universiteti, profesor Aleks Luarasi, një akademik që ka kaluar 4 dekada duke përgatitur juristët e rinj. Jam i lumtur të pohoj që universiteti çdo ditë materializon vizionin që patëm kur e themeluam rreth 9 vite më parë, shprehet ai përpara të pranishmëve. I pyetur se cilat janë sfidat me të cilat përballen sot universitetet private, ai shprehet se në mënyrë të përmbledhur është cilësia. Më pas në përshëndetjen e tij, rektori i universitetit, profesor Kristaq Traja, një ish-gjyqtar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, vuri theksin te roli që këta studentë duhet të kenë në shoqëri. « Shumë prej jush kanë pozicione kyçe me influencë në shoqëri. Unë do të dëshiroja që ju ta përdorni influencën tuaj për ta çuar shoqërinë tonë drejt progresit, iu drejtua ai të diplomuarve të universitetit Luarasi, të pranishëm në këtë aktivitet. Në mbyllje të fjalës së tij, rektori i universitetit Luarasi u dha një mesazh të rëndësishëm të gjithë juristëve të rinj. Ju nuk duhet asnjëherë të hiqni dorë nga përpjekja për të bërë më të mirën edhe pse mund të jeni rrethuar nga më e keqja, tha Traja. Ajo që 9 vite më parë ishte një vizion, tashmë është një realitet. Grupimi Alumni është organizim i të gjithë studentëve që janë diplomuar në këto vite dhe do të diplomohen në universitetin Luarasi në të ardhmen. Grupimi Alumni synon të bashkojë e të promovojë studentët e dalë nga auditorët e universitetit Luarasi, të nxisë pjesëmarrjen e tyre në konferenca dhe aktivitete të ndryshme të universitetit. Universiteti Luarasi synon që nëpërmjet grupimit Alumni të mbajë lidhje me ish-studentët, duke i ndjekur ata në karrierën profesionale. Gjithashtu, synohet që nëpërmjet këtij grupimi të gjithë të diplomuarit e universitetit Luarasi të mbështesin njëri- tjetrin, si dhe të shkëmbejnë informacione mes tyre përmes takimeve dhe forumeve online. Kjo praktikë perëndimore, ku studentët mbajnë lidhje me universitetin e tyre gjatë gjithë jetës, do të vijojë të promovohet më tej, duke treguar frymën e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave që ka sot universiteti Luarasi.
Komunikimi në ALUMNI
- Nëpërmjet emailit alumni@luarasi-univ.edu.al
- Nëpërmjet faqes së internetit të Luarasit (seksioni për Alumni)
- Nëpërmjet një blogu që do të hapet për diskutime mes ish studentëve
- Nëpërmjet takimeve periodike (4 takime
në vit)