E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Berisha-Thaci

Festimet me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë temë qendrore e bisedës mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni Menduh Thaçi. Kreu i qeverisë e konsideroi këtë përvjetor unik dhe me një simbolikë të madhe, pasi, për herë të parë, shqiptarët festojnë njëherësh në Shkup, Prishtinë, Vlorë dhe Tiranë. Kryeministri Berisha tha se shqiptarët, kanë qenë të ndaluar në trojet e tyre dhe kanë pasur një histori të manipuluar dhe ky përvjetor ishte një mundësi e madhe për të rivlerësuar figurat e kombit, në madhështinë e tyre.
Gjatë këtij takimi, është diskutuar edhe mbi zhvillimet në Maqedoni. Zoti Thaçi e informoi Kryeministrin me zhvillimet atje dhe qëndrimet e forcës së tij politike. Zoti Berisha vlerësoi qëndrimin konstruktiv të PDSH-së, si dhe inkurajoi bashkëpunimin dhe vazhdimësinë e qëndrimeve të matura të faktorit politik shqiptar, për konsolidimin të mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve atje, por edhe në interesin më të mirë të zhvillimit dhe integrimit të Maqedonisë. Kryeministri Berisha nënvizoi se integrimi europian është garancia më e madhe për paqen dhe prosperitetin e kombit shqiptar dhe të rajonit si i tërë. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni Menduh Thaçi, në takimin me kryeministrin Sali Berisha, ka shprehur kënaqësinë për vizitën e suksesshme që Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton zhvilloi në Tiranë dhe mesazhet që ajo përcolli, si një ngjarje që gëzon të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›