Topalli ceremoni ne nderim te grave me te shquara te vendit

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në kuadër të aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë organizoi sot një ceremoni në nderimit të grave më të shquara në vite të vendit tonë. Sipas Kryetares së Kuvendit, sot përmes këtij eventi nderohet dinjiteti i grave shqiptare si një simbol i cili ndër vite vlen të përmendet e të kujtohet. Emra të tillë, si Drita Pelingu, Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Nexhmija Pagarusha, mbretëresha Xheraldinë, Vaç Zela, Rajmonda Bulku, Marie Shaqe Shiroka (Coba), Tereza Bianku, Musine Kokalari, Marije Kraja e shumë e shumë figura të tjera morën në shenjë nderimi botimin e Kuvendit të Shqipërisë me dokumenta themeltarë të shtetit shqiptar. Me motivacione të veçanta në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për misionin e tyre, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u dhuroi botimin special të Kuvendit “Akteve të themelimit të shtetit shqiptar “, duke nderuar një pjesë të grave simbol të qëndresës dhe të forcës së grave shqiptare siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë. "Sot ne nderojmë brishtësinë, delikatesën, dinjitetin e gruas shqiptare, kësaj gruaje te lindur ne “djepin e tragjedisë” e te “dramës pa fund”, por qe kurrë nuk u vyshk ne freskinë e ne fisnikërinë e saj njerëzore. Sot, nderojmë një pjese te grave simbol te qëndresës e te forcës se gruas shqiptare, siç vetëm një grua shqiptare mund te jete", tha Kryetarja e Kuvendit.