E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Haxhinasto- Lajcak

Marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian varet nga vetë Shqipëria dhe hapat e mëtejshëm që ajo duhet të bëj. Kështu është shprehur ish-negociatori i BE-së, gjatë krizës politike në Shqipëri, Miroslav Lajçak. Tashmë, në detyrën e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Lajçak është takuar me homologun e tij shqiptar, Edmond Haxhinasto, në kuadër të Konferencës për Sigurinë Globale në Bratislavë. Bëhet e ditur se gjatë bisedës, Lajçak u shpreh se “në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime pozitive, për të çuar një lajm pozitiv drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, por çdo gjë varet nga Shqipëria”. Ministri Haxhinasto nga ana e tij, theksoi progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e integrimit, informoi homologun e tij me zhvillimet e fundit në vend dhe reformat që janë ndërmarë.

Një temë tjetër diskutimi ishte edhe situata në veri të Mitrovicës, ku të dy palët nënvizuan se është e rendësishme që komuniteti ndërkombëtar të flasë me një gjuhë dhe të japë mesazhe të përbashkëta dhe të qarta.

Gjatë punimeve të kësaj konference ministri Haxhinasto pati takime dypalëshe me homologë dhe pjesëmarrës të këtij aktiviteti të rëndësishëm vjetor, ku diskutohen çështje të sigurisë globale,  zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi i tyre në BE. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›