Takimi Jahjaga-Nikoliq pa dobi për Kosovën

Vetëm dy ditë para se të ndodhë takimi i shupëpërfolur Jahjaga-Nikoliq, spektri politik opozitar në Kosovë dhe analistë politikë e konsiderojnë si të pa nevojshëm këtë takim, madje sipas tyre, Kosovës pak ose fare mund t’i shërbejë ky takim.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e konsideron si temë joserioze. “Nuk kam koment. Po më duket joserioze kjo temë”, ka thënë ai.
Ndërkaq Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, ka thënë se presidentja nuk do të duhet të takohej me Nikoliqin, e as të negocionte me askënd nga Serbia. “Pos presidentes edhe kryeministri nuk do të duhej të takohej për negociata me askënd nga Serbia, sepse as kryeministri nuk përfaqëson interesin e qytetarëve, por edhe presidentja nuk përfaqëson interesin e qytetarëve përmes një marrëveshje edhe ashtu pa vlerë”, ka thënë Selimi, transmeton Zëri.
Nga ana tjetër analisti Halil Matoshi ka thënë se takimi në Brukses mes presidentit të Serbisë, Nikoliq dhe kryetares së Kosovës, Jahjaga është agjendë e Brukselit, dhe politikisht është një aksion simbolik për nevoja të brendshme të vetë BE-së, për ta paraqitur involvimin e saj në Kosovë, si “storie të suksesshme”.
“Kosovës pak ose fare nuk i shërben ky takim, për arsye se Kosova e ka zgjidhjen e vet-shtetin sovran. Nga ana tjetër Serbia është shtet presidencial, kurse Kosova ka një kryetare të zgjedhur në Kuvend me një marrëveshje politike, por kjo nuk ja ul vlerën Jahjagës karshi homologut serb.
Në anën tjetër analisti Fadil Lepaja poashtu konsideron që presidentja e Kosovës nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit. “Zonja Jahjaga thjesht përfaqëson vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare në vend”, ka thënë Lepaja./Indeksonline/