Nuk janë përcaktuar për ministrinë

Megjithëse e kanë kërkuar një ministri, Aleanca Kosova e Re ende nuk është përcaktuar se cilën ministri dëshiron ta marrë, pas largimit të Agim Çekut në PDK.
Zëvendëskryeministrja që vjen nga radhët e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila tha për RTK-në se ende nuk ka as një marrëveshje konkrete me PDK-në për mundësinë e marrjes edhe të një ministrie. Ajo bën më dije se ministria duhet të jetë e sektorit të ekonomisë.
“Sa i përket Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ka qenë e debatuar në tavolinë, por nuk ka asgjë konkrete. Megjithëkëtë, ne nuk e kemi kërkuar MZHE-në”, pohoi Kusari-Lila. Ajo tha se AKR-ja do të jetë aty ku do të jap kontribut më tepër, sidomos në sektorin ekonomik.
Ministrja Kusari-Lila ka hedhur poshtë zërat që ajo do të kalojë në PDK.
“Kur jam kyçur në AKR, nuk më ka shkuar mendja të kalojë diku tjetër, as nuk kam pasur oferta. Të gjitha të përfolurat janë thashetheme mediatike”. /Indeksonline/