Takimi Jahjaga-Nikoliq po përgatitet nga Ashton

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Catherine Ashton punon në organizimin e takimit të parë të presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliq me presidenten kosovare Atifete Jahjaga, i cili do të mbahet në Bruksel.
"Qëllimi është që me realizimin e kontakteve të nivelit të presidentëve të përforcohet dhe intensifikohet dialogu i cili për momentin po zhvillohet midis dy kryeministrave në nivel të ekspertëve", deklaroi për Tanjugun një funksionar i Komisioni i cili kërkoi të mbetet anonim.
Ai, megjithatë, nuk mundi ta saktësojë datën dhe rendin e ditës të takimit, përveç që tha se takimi planifikohet për gjysmën e parë të shkurtit.
Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë Maja Kocijançiq nuk deshi as ta konfirmojë e as ta përgënjeshtrojë këtë informatë, njoftojnë mediat serbe.
"Gjithçka që mundem të them është se të gjitha iniciativat të cilat kontribuojnë për normalizim të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës për ne janë të mirëseardhura dhe jemi të gatshëm t'i mbështesim", tha Kocijançiq./Indeksonline/