Takimi Jahjaga-Nikoliq, simbolik dhe në mbështetje të dialogut

Paralajmërimet për takimin mes presidentes të Kosovës Jahjaga dhe atij të Serbisë Nikoliq, i paraparë të ndodhë javën që vjen në Bruksel, nga diplomatët evropianë shihet si një përpjekje, për të zgjeruar mbështetjen për kompromise të reja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Analistët vlerësojnë takimi do të jetë më shumë simbolik dhe si një mbështetje për kryeministrin serb Daçiq nga ana e presidentit serb për dialog.
Edhe pse ende nuk ka një datë zyrtare nga Brukseli për takimin ndërmjet presidentes Jahjaga dhe presidentit serb Nikoliq, zyra e presidentes së Kosovës bën të ditur se takimi do të mbahet së shpejti dhe hollësitë priten nga Brukseli.
Arbër Vllahiu zëdhënës i presidencës, tha për Radio Kosovën, se takimi do t’i jep mbështetje dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë mediat e shkruara thonë se Brukseli po bën përpjekje që nga ky takim të arrihet mbështetje për kompromise të reja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq Ardian Arifaj nga Instituti KIPRED, vlerëson se takimi Jahjaga-Nikoliq nuk do të sjellë ndonjë vendim pasi që asnjëri kryetar sipas Kushtetutës së shtetit të vet nuk ka përgjegjësi të mëdha ekzekutive.
Arifaj thotë se takimi do të jetë me përfitues për Serbinë, pasi kreu i qeverisë serbe deri tani nuk ka pasur mbështetje të plotë nga ana e presidentit për dialogun me Prishtinën.
“Do të ketë një rëndësi të madhe sidomos për kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq, pasi që deri tani ka qenë i vetmi që e ka bartur barrën e negociatave, bisedimet me Kosovën derisa partnerët në koalicion, partia SNS nga e cila vjen kryetari i shtetit presidenti i Serbisë dhe zëvendëskryeministri kanë qenë më të ashpër ndaj dialogut, kanë pasur qëndrime me të ashpra. Prandaj një takim i tillë mundet me shpërnda përgjegjësinë për dialogun dhe për rezultatet e dialogut për Serbinë. Në Kosova nuk do të ketë ndonjë ndikim përveç se simbolik”, tha ai.
Arifaj thotë se temat që mund të shtrohen në takim mund të jenë gjitha ato që janë prekur deri tash në kuadër të dialogut teknik dhe pastaj në kuadër të dialogut politik në nivel të kryeministrave, por asnjëherë duke e tejkaluar rezolutën e miratuar në Kuvend./Indeksonline/