Takimi Kurti- Vuçiç, ekspertët: Pritet të përcaktohet vendi i Asociacionit në planin e BE-së

Në takimet e para të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel, pritet të përcaktohet se ku është vendi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në planin e Bashkimit Evropian për dialogun, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi. Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë, vazhdojnë kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti se ka pranuar themelimin e “Zajedincës”, ndërsa kushtet e tij i konsiderojnë vetëm si populizëm dhe për politikë të brendshme. Profesori Seb Bytyçi për KosovaPress, shprehet i shqetësuar se ndërmjetësuesit e dialogut mund të pranojnë parakushtin e Serbisë që Asociacioni të jetë në qendër të marrëveshjes.
Por kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti për Asociacionin adreson deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj. Ai thotë se Kurti veç emrin e tij nuk e ka ndryshuar, pasi gjitha qëndrimet e tij të mëhershme po thyhen.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se kushtet e kryeministrit Kurti për themelimin e Asociacionit janë vetëm për politikë, pasi siç thotë deputeti opozitar, kreu qeveritar i ka thënë po “Zajedincës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kësaj jave ka rikonfirmuar se pranon planin e BE-së për dialogun, si bazë e mirë për arritjen e marrëveshjes finale. Ndërkaq, ka adresuar gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
/rtsh/