Takimi Nishani-Wollfarth: Një kod etike për fushatën zgjedhore

Një kod etike për fushatën elektorale 2013. Kjo ka qenë kryefjala e takimit të sotëm mes kreut të prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth dhe Presidentit Bujar Nishani. Në një njoftim e lëshuar lidhur me këtë takim në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se Nishani priti sot në një takim, Ambasadorin Wollfarth, me kërkesë të këtij të fundit.
“Gjatë takimit u bisedua në lidhje me përgatitjen e një kodi etike, i cili do t`i shërbente shmangies së një gjuhe të papërshtatshme gjatë zhvillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013”-thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndërkaq Ambasadori Wollfarth e ftoi Presidentin Nishani të marrë pjesë në Ditën e OSBE-së, ftesë të cilën Presidenti i Republikës e priti me kënaqësi.
Biseda mes Kryediplomatit dhe Kreut të Shtetit vjen vetëm pak ditë para tryezës së thirrur nga ana e Presidentit Bujar Nishani me partitë parlamentare për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Takimi me përfaqësuesit e partive politike do të zhvillohet të hënën e ardhshme dhe mendohet se shumë shpejt, Kreu i Shtetit do të dekretojë datën e zgjedhjeve në zbatim të Nenit 9, të Kodit Zgjedhor