Takimi Thaçi-Nikoliç, pritet caktimi i datës për bisedimet
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Baronesha Catherine Ashton, do të insistojë me çdo kusht që pas takimeve me Hashim Thaçin dhe Timosllav Nikoliçin në New York, të caktojë edhe kohën e saktë për rifillimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe detajet në lidhje me atë që do të bisedohet.
Sipas gazetës “Zëri” e cila citon burime në Bruksel, Ashton do të kërkojë nga të dy liderët edhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet teknike.
“Takimi i Ashtonit me Thaçin dhe Nikoliçin pritet të ndodhë në dy ditët e ardhshme. Ashton do të marrë dakordësinë e të dyja palëve për vazhdimin e dialogut, por pos kësaj do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara”, thekson burimi.
Zyrtari i BE-së, që ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se nuk do të ketë kushtëzime ndaj Serbisë për implementimin e marrëveshjeve të kaluara.
“Por, do të insistohet që Beogradi të nisë me zbatimin e marrëveshjeve dhe në ndërkohë mund edhe të bisedohet për temat tjera” shtoi më tej ai.